VIDEO/ Atalanta makineri golash, Mërgim Vojvoda godet sërish në Serie A

schedule16:59 - 9 Maj, 2021

schedule 16:59 - 9 Maj, 2021

Atalanta bën detyrën ndaj Parmës dhe është ngjitur në vendin e dytë në Serie A, teksa Cagliari dhe Torino marrin pikë pozitive për objektivin mbijetesë. Mërgim Vojvoda shënon sërish, duke ndihmuar ekipin granata. Bergamaskët triumfuan 2-5 në fushën e Parmës, që sezonin e ardhshëm do të garojë në Serie B.

Berat Gjimshiti titullar si gjithmonë në prapavijën e Atalantës, që kalon shpejt në avantazh me anë të Ruslan Malinovsky. Ukrainasi gjen golin në minutën e 12-të falë një goditje potente. Kaq për pjesën e parë, ndërsa vendasit kapitullojnë në fraksionin e dytë.

Matteo Pessina dhe Luis Muriel e dërguan rezultatin në 0-3. Argjentinasi Brunetta realizon për Parmën, ndërsa Luis Muriel shënon sërish. Më pas Simon Sohm shkurtoi rezultatin pë vendasit. Në fund ishte rusi Miranchuk që vulosi suksesin me “manita” të Atalantës.

Vendi i dytë me 72 pikë për Atalantën, që ka hedhur një hap drejt objektivit Champions League. Torino e mbylli në barazim 1-1 sfidën jashtë fushe me Hellas Veronën. Moment magjik për Mërgim Vojvodën, që ka gjetur golin e dytë radhazi në Serie A.

Anësori i djathtë dardan kaloi në avantazh Torinon në minutën e 86-të. Njësoj si në fitoren ndaj Parmës, ishte Ansaldi ai që i dhuroi asistin dhe Vojvoda shënoi një gol të bukur me kokë. Vendasit barazuan dy minuta më vonë. Pikë e mirë për Torinon, që renditet 4 pikë mbi zonën e rrezikut.

1-3 përfundoi Benevento-Cagliari. Dy ekipet ndodhen në pozita të vështirë, teksa sot nuk u ruajtën aspak. Ndeshje e bukur dhe e hapur, por në fund festuan sardët, të cilët ia dolën të marrin tre pikë jetike ndaj ekipit të Pippo Inzaghit. /abcnews.al