Tole: Titulli ndahet te Teuta-Partizani, kujdes Laçin! Uroj të shpëtoje Skënderbeu

schedule19:13 - 5 Maj, 2021

schedule 19:13 - 5 Maj, 2021

Nga Bledar Kuka

Partizani është pretendenti kryesor për titullin në Superiore. Ky është mendimi i ish-lojtarit të të kuqve, Afrim Tole, i cili veçon ndeshjen mes Teutës e Partizanit në Durrës, si përcaktuese për sezonin.

Kryeqyteti ka dalë sërish në krye të Superligës, por a do ta mbajë deri në fund. Nëse vjet kampione u shpall Tirana, këtë herë është Partizani që synon të fitojë titullin ashtu si në 2019, dhe ish-lojtari I të kuqve, sot opinionist futbolli, Afrim Tole, i sheh ata në pozita të mira.

Në intervistën për ABC-në, Tole veçon një ndeshje përcaktuese. “Janë 3-4 ekipe që konkurrojnë, e kanë marrë kreun nga një herë. Ndeshja Teuta-Partizani ndan titullin. Partizani është një hap përpara, pasi bind në lojë dhe rezultate”.

Gjithsesi, ka edhe një rival të fshehtë e të rrezikshëm për titull. “Më vjen keq që nuk shoh Tiranën lart. Veçoj Laçin, duke parë kalendarin. Duket më i favorizuar, edhe pse është katër pikë larg Partizanit të vendit të parë”.

Bukuria e kampionatit sipas Toles është Skënderbeu. “Nëse Memelli do kishte shkuar më përpara, gjërat do të ishin më ndryshe. I ka dhënë atmosferë tjetër ekipit, pasi lojtarët po janë ata. Ka futur frymë të re. Uroj të mos bien nga Superiore. Kukësi nuk besoj se bie, e ndajnë Bylisi dhe Skënderbeu”.

Disa fjalë për rikthimin e pritshëm të Dinamos në Superligë dhe për derbin. “Uroj të kthehet Dinamo, pasi i ka dhënë tonin futbollit shqiptar. Le të behët Tirana me tre ekipe, edhe pse derbi kryesor ka qenë gjithmonë Partizani-Tirana. Shpresoj që derbi i radhës të jetë të paktën me 20-30% të kapacitetit të stadiumit me tifozë”. / abcnews.al