“Show” i shëmtuar me futbollin, “Niko Dovana” mbushet nga të përkëdhelurit e politikës

schedule17:56 - 23 Prill, 2021

schedule 17:56 - 23 Prill, 2021

Politika dhe futbolli janë kryqëzuar shpesh mes tyre. Kryeministrit Edi Rama i pëlqen të veshë sa fanellën e Juventusit, sa të Bayern Munich dhe Liverpool. Gjithsesi me tifozët nuk e ka të mirë raportin, ndoshta i edukuar keq nga Andrea Agnelli, që futbollin donte t’ua merrte sportdashësve me idenë e European Super League.

Presidenti i Juventusit dështoi, kurse qeveria shqiptare dhe autoritetet shtetërore ua kanë marrë tifozëve që duhet të paguajnë për t’i parë beniaminët e tyre nga shtëpitë. Stadiumet janë kthyer në arena mitingjesh, ndërkohë që shqiptarëve nuk ua dhanë mundësinë të mbështesnin skuadrën e tyre të zemrës në një ndeshje të madhe si ajo ndaj Anglisë.

 

As me distancimi social nuk e lejuan. As në kampionat ende nuk lejohen tifozët, ata pak që kanë mbetur në vendin tonë. Tani partia në pushtet dhuron “show” nga një stadium në tjetrin, pa përmendur fushat sportive. Në Kamzë fusha ishte plot, shkallët gjithashtu, në Elbasan, Gjirokastër e Korçë ndodhi e njëjta gjë, ndërkohë që të njëjtin fat e ka edhe “Niko Dovana” i qytetit të Durrësit.

Kryeministri Rama, në qendër të fushës, rrethohet nga anëtarë të partisë që do sërish pushtetin, ndërkohë që edhe në shkallët e stadiumit të Durrësit të privilegjuarit e politikës nuk pyesin për asnëj rregull. Për rregulla nuk pyesin as në krahun tjetër politik, që mbushin sheshit.

 

Futbolli jo, ai është armik i atyre që sa herë luan kombëtarja edhe biletat i duan falas. Ata nuk paguajnë për asgjë, veç për votat që u duhen një herë në katër vite. Ndodh edhe mos të paguajnë, sikur ndodhi në zgjedhjet lokale të vitit 2019.

Gjithsesi në sytë e atyre që u qan zemra të jenë në stadium, vlejnë zero. Mëkatet i kanë të shumta dhe do i paguajnë, herët apo vonë. Nëse nesër ata tifozë të Teutës dhe Tiranës që nuk do të jenë në stadium do i mallkojnë pse nuk i lënë në stadiume, edhe Zoti do i kuptojë dhe do i falë për mllefin e tyre… /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!