Agjencia evropiane e Barnave tha se kishte gjetur lidhje të mundshme mes vaksinës Astrazeneca dhe mpiksjes së gjakut, një tip tromboze që mund të jetë edhe vdekjeprurëse.
Pas raportimeve nga Agjencia evropiane e Barnave se vaksina AstraZeneca mund të manifestohet me mpiksje të rralla gjaku, shumë vende pezulluan imunizimin me këtë vaksinë për grupmosha të caktuara. Megjithatë, Sekretari britanik i Shëndetësisë foli në mbrojtje të vaksinës, duke thënë se një efekt shumë i rrallë anësor nuk duhet të shkaktojë zbehje të interesimit për këtë vaksinë, pasi përfitimet janë të shumëfishta. Zyrtari i lartë shtoi se qeveria britanike është plotësisht transparente lidhur me këtë çështje. Sekretari britanik i Shëndetësisë Matt Hancock tha të enjten se nuk është i shqetësuar se interesimi për t’u vaksinuar në Mbretërinë e Bashkuar mund të zbehet pas deklaratave të autoriteteve britanike se ekzistojnë prova të forta se vaksina AstraZeneca mund të ketë lidhje me mpiksjet e rralla të gjakut.
“Kemi parë që sistemi i sigurisë po funksionon sepse rregullatorët po vërejnë edhe zhvillime të rralla si kjo, katër në një million, duke reaguar me masa të nevojshme për të garantuar që shpërndarja është e sigurt aq sa është e mundur. Ne po shohim se vaksina po funksionon duke ulur përqindjen e vdekjeve ndër rastet e infektuara,” tha ai.
Zoti Hancock e quajti të jashtëzakonshëm nivelin e interesimit për t’u vaksinuar ndërsa shtoi se provat e reja janë tregues i transparencës lidhur me sigurinë e vaksinave.
“Jemi plotësisht transparentë për të gjitha efektet anësore, pa marrë parasysh se sa të rralla janë ato. Kjo nënkupton që njerëz të pavarur si kryetari i Shoqatës Mjekësore në Britani, i cili është mjek plotësisht i pavarur nga qeveria, analizon të dhënat që kemi publikuar dhe nxjerr përfundime. Rekomandimi i tij është që njerëzit të vaksinohen, sepse kjo është mënyra për të kapërcyer pandeminë“, tha ai.
Të mërkurën autoritetet britanike rekomanduan që qytetarëve nën 30 vjeç t’u ofrohen alternativa të tjera të vaksinimit ndërsa zoti Hancock shtoi se çdokush në atë grupmoshë në Britani mund të zgjedhë të imunizohet me vaksinën Pfizer ose Moderna. Shkencëtarët e Oksfordit pezulluan provat klinike të vaksinës me fëmijë dhe adoleshentë.
Rekomandimi erdhi ndërsa enti britanik për kontrollin e barnave dhe Bashkimin Evropian theksuan se për shumicën e njerëzve përfitimet nga vaksinimi janë më të mëdha sesa rreziqet, edhe pse Agjencia evropiane e Barnave tha se kishte gjetur lidhje të mundshme mes vaksinës Astrazeneca dhe mpiksjes së gjakut, një tip tromboze që mund të jetë edhe vdekjeprurëse.
Në raport thuhet se mpiksja e gjakut duhet të renditet si një efekt shumë i rrallë anësor. Mpiksjet e rralla të gjakut dyshohet se shkaktuan vdekjen e të paktën 14 personave në të gjithë Evropën.
Agjencia nuk këshilloi kufizime në bazë të moshës, duke e lënë këtë vendim në dorë të vendeve anëtare.
Pas këtyre njoftimeve, disa vende nxorën udhëzime të reja të përdorimit të vaksinës AstraZenca.
AstraZeneca ishte vaksina kryesore në fushatën jashtëzakonisht të shpejtë të vaksinimit në Britani, e cila prin për numrin e të vaksinuarve krahasur me pjesën tjetër të Evropës.
Por vaksina pati probleme gjatë shpërndarjes në botë, fillimisht për shkak të mungesës së informacioneve nga provat e saj klinike dhe pastaj ndikimin që kishte tek të moshuarit, duke ngadalësuar përpjekjet e vaksinimit në gjithë Evropën.
Vaksina ka rol të madh në fushatën e imunizimit në Evropë dhe është thelbësore në strategjinë globale të mbështetjes së vendeve të varfra në këto fushata. Kjo vaksinë është më e lirë dhe më e lehtë për t’u përdorur krahasuar me vaksinat rivale Pfizer-BioNTech dhe Moderna./VOA