Në listën e PD për Durrësin, Agim Baçi: Besoj se Basha ka potencialin të riktheje zbatimin e ligjit

schedule20:02 - 31 Mars, 2021

schedule 20:02 - 31 Mars, 2021

Kryeredaktori i revistës “Medius”, Agim Baçi ka treguar se pse pas shumë vitesh gazetar ka vendosur që të kandidojë për deputet për PD-në në Durrës.

Në një postim në Facebook, Baçi tregon se gjatë punës së tij si gazetar ka prekur realitetin dhe ka njohur njerëz të ndryshëm. Dhe, gjatë këtij rrugëtimi ka kuptuar se gjithkush do që ta respektosh e dëgjosh. Prandaj, sipas tij, kur qytetarët besojnë se mund të jesh zëri i tyre, “është e pamundur t’i shmangesh përgjegjësive.”

Agim Baçi shprehet po ashtu se beson që kryedemokrati Basha ka gjithë potencialin dhe vullnetin që t’i japë vendit një qeveri që do të “rikthejë zbatimin e ligjit dhe llogaridhënien.” Ai shprehet se beson se PD është sot e aftë të rikthejë shpresën se “Shqipëria do të bëhet ashtu siç e dëshirojmë”.

POSTIMI

Përse kandidoj!
Nuk është e lehtë të vendosësh të nisësh një bashkëudhëtim politik. Prej vitesh si gazetar, kam prekur realitetin, kam njohur njerëz të ndryshëm. Ajo që kam veçuar në këtë komunikim është fakti se gjithkush dëshiron që ta respektosh, ta dëgjosh.
Padyshim që politika ka shumë dritëhije e shpesh nuk i është përgjigjur sfidës për t’u përballur me qytetarët, për të folur sy më sy me votuesit e për të pranuar atë që nuk ka mundur ta bëjë pasi e ka premtuar. Kjo sfidë është për këdo që ndërmerr këtë udhëtim, e padyshim edhe për mua. Por, kur bashkëqytetarët e tu të besojnë se mund të jesh zëri i tyre, është e pamundur t’i shmangesh përgjegjësive.
Ndaj, dëshiroj të falenderoj sot këdo që ka besuar se unë mund të jem një zë që mund t’i përfaqësojë në debatin publik dhe politik. Unë jam i bindur se, për këtë përfaqësim shpesh nuk mjafton vetëm kostumi politik, e as mandati i deputetit. Unë besoj se mandati më i vështirë dhe më i vlefshëm është mandati i dhënies së besimit nga ata të cilët i takon gjithnjë, ata me të cilët je rritur, që ke bashkëudhëtuar në fëmijëri, e më pas në punët e tua dhe ata që sot drejtojnë forcën politike tek e cila unë besoj se mund të aplikohen këdo ide. Ky mandat besimi vlen që kësaj beteje t’i shkojmë bashkarisht deri në fund, për t’i dhënë vendit një qeveri që do të rikthejë zbatimin e ligjit, llogaridhënien dhe të respektojë shpirtin publik.
Unë besoj se PD me z. Basha e ka të gjithë potencialin dhe vullnetin që të kthejë optimizmin për ta ndërtuar të ardhmen tonë këtu! Unë besoj se partia që riktheu besimin se mund të jemi si Europa, 30 vite më parë, është sot e aftë të rikthejë edhe një herë shpresën se Shqipëria do të bëhet ashtu siç e dëshirojmë! Dhe Shqipëria duhet të fitojë!  sb/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!