Bashkimi Europian do të sjellë në Ballkan 651 mijë vaksina “Pfizer”, ku Shqipëria pritet që të ketë pjesën e saj nga dërgesa e Brukselit në drejtim të rajonit tonë.
Lajmin e dha kryeministri Edi Rama në një postim në rrjetet sociale. Kreu i qeverisë thotë se zhvilloi një telefonatë me presidenten e KE-së, Ursula von der Leyen, e cila i dha lajmin e mirë.
“Një lajm i mirë në telefonatën me Presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen: Së shpejti 651 mijë vaksina Pfizer do të vijnë në rajon nga Bashkimi Europian. Më në fund” shkruan kryeministri shqiptar, i cili e ka kritikuar BE-në për vaksinat në raport me Ballkanin, sa herë i është dhënë rasti.
Presidentja e KE-së shprehet se me dozat do të vaksinohen punonjësit e kujdesit shëndetësor dhe njerëzit në nevojë. “Ne jemi pranë partnerëve tanë në Ballkanin Perëndimor.
Diskutova me Edi Ramën për shpërndarjen e vaksinave në Shqipëri, financuar nga KE për të vaksinuar sa më shpejt punonjësit e kujdesit shëndetësor dhe njerëzit në nevojë. Së bashku do të kapërcejmë pandeminë” mbyllet mesazhi.
Deri tani Shqipëria ka marrë vaksina nga “Pfizer”, “AstraZeneca”, por edhe ruse e kineze në ditët e fundit./ db/ Abcnews.al