Nga Juxhin Mustafaraj
Për demokratët, vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të hequr 78 kandidatë nga listat e koalicionit opozitar është i paligjshëm.
Për ABC, ish-deputeti i PD dhe eksperti zgjedhor, Oerd Bylykbashi sqaron se si Celibashi i hoqi të drejtë veç kandidatëve edhe komuniteteve për tu përfaqësuar.
“Vendimi i KQZ për të shkurtuar listat e opozitës dhe të koalicionit të opozitës është jo vetëm i paligjshëm, por edhe arbitrar. Ligji zgjedhor nuk përcakton maksimum, por vetëm minimum për kandidaturat në çdo qark. Aq më keq që vendimi ka lënë jashtë edhe përfaqësues të minoriteteve që janë të njohura me ligj”, tha ai.
Por vendimi i KQZ do të ndjek rrugën ligjore nga demokratët.
“Prishja e koalicioneve, pengimi i tyre dhe tashmë pengimi i kandidatëve të koalicionit për të garuar, kjo paligjshmëri goditet në Kolegjin Zgjedhor, por ka edhe trajta anti-kushtetueshmërie.
Për Bylykbashin me listat e limituara në emra, KQZ duhet të vendos që të gjithë kandidatët të përfaqësohen në fletën e votimit me emra dhe jo me numra.
“Prezenca e një numri kandidatësh sa ç’janë propozuar nga koalicioni që udhëhiqet nga PD, e bën krejtësisht të mundur që në fletët e votimit të jenë listat e partive me emra që zgjedhësi të ketë mundësinë të përzgjedhë emrin e kandidatit që preferon”, tha ai.
Për kandidatët e demokratëve në Durrës dhe Shkodër të vënë nën akuzë nga mazhoranca thekson se po ndiqen të gjithë hapat ligjore për të mos krijuar alibi në radhët e shumicës.
“Ne i kemi marrë të gjitha masat që kandidatët tonë të jenë të pastër. PD dhe opozita është ballëhapur përballë ligjit të dekriminalizimit”, shton më tej Bylykbashi.
Partia Socialiste ka akuzuar kandidatët e PS në Durrës dhe Shkodër, Rezart Tusha dhe Zef Hila si persona me probleme me ligjin dhe kanë kërkuar nga KQZ moslejimin për të garuar në 25 prill.
/abcnews.al/