Kryeministri Edi Rama deklaroi se fushata e vaksinimit synon që në prag të stinës së verës Shqipëria të ketë lënë mbrapa makthin e pandemisë dhe të jetë duke buzëqeshur. Rama akuzoi kundërshtarët politikë se në kohën e tyre numri i urgjencës dilte fikur dhe autoambulanca nuk mbërrinte kurrë në kohë.
“A ju kujtohet kur merrnin në telefon urgjencën dhe ju dilte i zënë ose nuk e hapte njeri se ai që ishte në anë tjetër ia kishte futur gjumit. Sot ambulancat e reja ofrojnë mbulim në të gjithë territorin. Shërbimi është i gjithi i monitoruar. Bisedat janë të incizuara dhe nuk ka asnjë mundësi që detaji më i vogël të mbetet jashtë vëmendjes.
Ka një fakt. Është reduktuar me dy herë dhe më shumë se dy herë mbërritja e urgjencës në vendin ku duhet. Kur është folur për shëndetësi është folur mbrapsht për PPP, oligarkët, koncesionet. Dokrra, dokrra, dokrra.. Në vitin 2013 çdo i sëmurë me dializë duhet të vinte njëherë në dy ditë në Tiranë se ndryshe nuk jeton dot më.
Sot është një shërbim nga ato PPP i investuar nga një privat, i ofruar nga shteti. Janë 178000 seanca dialize në vit. Çfarë ishte shëndetësia kur këto seanca zhvilloheshin larg syrit të medias dhe ishin fatkeqësi. Fushata jonë e vaksinimit është “Shqipëria buzëqesh”.
Unë dua që Shqipëria të buzëqeshë falë kësaj fushate. Kjo është sfida e sfidave që ne të jemi në gjendje që kur dielli i verës të buzëqeshë Shqipëria të jetë duke buzëqeshur, Shqipëria të ketë lënë mbrapa makthin dhe është duke dalë nga tuneli ku duket drita”, tha Rama./mv.abcnews.al