SHQIPËRI- Kreu i qeverisë, Edi Rama, ka publikuar në rrjetet e tij sociale pikëpamjet e Yuval Noah Harari mbi ndikimin që kanë algoritmet. Kryeministri e cilëson Yuval Noah Harari si “një nga mendjet më largpamëse të botës së sotme”.
Në videon e publikuar trajtohet ndikimi i algoritmeve të platformave sociale si Facebook, X dhe TikTok në mënyrën se si përdoruesit informohen dhe perceptojnë realitetin.
Sipas Hararit, këto algoritme nuk janë krijuar për të identifikuar apo promovuar domosdoshmërisht të vërtetën, por për të mbajtur përdoruesit sa më gjatë të angazhuar në platforma.
Për këtë arsye, sipas tij, përmbajtjet që ngjallin frikë, zemërim, urrejtje dhe polarizim kanë më shumë gjasa të marrin vëmendje dhe të përhapen gjerësisht. Harari argumenton se kjo mënyrë funksionimi mund të krijojë një perceptim të shtrembëruar të realitetit, ndërsa debati publik dominohet gjithnjë e më shumë nga konfliktet dhe përplasjet.
“Algoritmet e rrjeteve sociale iu dha si objektiv jo krijimi i besimit, jo krijimi i së vërtetës, por krijimi i angazhimit. Objektivi që iu dha algoritmit të Facebook-ut, algoritmit të X-it, Tik-tok është të rritet ndërveprimi i përdoruesve.
Dhe kjo tingëllon bukur. ‘Angazhim’ duket si diçka e mirë, por ajo që do të thotë në të vërtetë është se algoritmet eksperimentuan mbi miliona e miliarda njerëz si mbi kavie njerëzore për të parë si t’i bëjmë njerëzit më të angazhuar, si t’i bëjmë njerëzit të kalojnë më shumë kohë në platformë dhe të reagojnë më shumë ndaj saj, për shembull të ndajnë përmbajtjen me miqtë e tyre, dhe zbuluan se mënyra më e lehtë për t’i bërë njerëzit të angazhohen është të shtypësh butonin e urrejtjes ose butonin e lakmisë ose butonin e frikës në mendjen e tyre ,në mendjen njerëzore, sepse urrejtja është jashtëzakonisht angazhuese, frika është jashtëzakonisht angazhuese.
Nëse diçka kërcënon jetën tënde, menjëherë je i angazhuar, dhe kështu ata e kanë përmbytur botën. Me urrejtje, frikë, zemërim dhe lakmi. Sot jetojmë në një botë hiper të angazhuar.
‘Angazhimi është kushëri i afërt me një fjalë tjetër që sot është bërë shumë dominuese që është ‘eksitimi’ që në thelb do të thotë që sistemi yt nervor është vazhdimisht në një nivel shumë të lartë aktivizimi.
Natyrisht eksitomi është i mirë në situata të caktuara deri në një farë mase, ashtu si edhe angazhimi është i mirë në situata të caktuara por biologjikisht një organizëm që qëndron i eksituar gjatë gjithë kohës në fund organizmi shembet dhe vdes. Nuk jemi ndërtuar për të qenë gjatë gjithë kohës të eksituar.
Unë do të doja të takoja njerëz që më bëjnë të ndihem i qetë, jo domosdoshmërisht të eksituar. Pastaj shikon politikën amerikane, atë izraelite apo thjesht gjithë botën. E gjithë bota është tepër e eksituar”, analizon Harari./abcnews.al

