Partizani vërtet arriti fitoren e dytë radhazi në Superligë, por ende nuk po i kënaq tifozët. Trajneri Gega kërkon kohë, ndërsa projekti i klubit kryeqytetas është i bazuar tek lojtarët e rinj.
Humbja e fillimit tashmë mund të quhet e lënë pas.
Partizani arriti fitoren e dytë radhazi në Superligë, duke iu afruar maksimalisht kreut të tabelës.
Gjithsesi, ndaj Kastriotit u shënua sërish vetëm 1 gol, ashtu si në suksesin në Kamzë, ndërsa kryeqytetasit vazhdojnë sëmundjen e vjetshme, duke pasur më shumë pikë e ndeshje të luajtura sesa gola.
Trajneri Skënder Gega e shprehu shqetësimin e tij pas takimit, duke thënë se një pjesë të dytë si ajo ndaj krutanëve nuk dëshiron ta shikojë më.
E njëjta gjë siç ndodhi me Kamzën, por me ndryshimin që e dobët ishte pjesa e parë, ndërsa pas pushimit të kuqtë luajtën shumë më mirë.
Përse këto luhatje tek Partizani?
Besohet se kjo po ndodh kryesisht sepse ekipi ka shumë ndryshime në krahasim me vjet, duke nisur me trajnerin, e duke vazhduar me lojtarët.
Po ashtu, mund të ndikojë mosha tepër e re, me shumë futbollistë nga 18 deri në 23 vjeç.
Të tillë janë Gojkoviç, Hebaj, Asani, Bardhi apo Mala.
Gega ka vendosur të bazohet tek të rinjtë, për të pasur një ekip fitues për shumë vjet.
Shembujt më të mirë ishin largimi i Gerhard Prognit, njërit prej shënuesve më të mirë vjet, dhe afrimi nga Vllaznia i Eraldo Çinarit, 21-vjeçar.
Për sulmuesin shkodran, kryeqytetasit paguan 60.000 euro, sipas burimeve në klub, duke ia dalë në momentet e fundit.
Të kuqtë donin edhe shkodranin tjetër, Krymin, për të cilin interesohej edhe Skënderbeu, por që mbeti tek Vllaznia.
Gega ka në ekip lojtarë shumë të mirë si Belicën, Trashin, Gojkoviçin apo Telushin, autorin e golit ndaj Kamzës, por besohet do t’i duhet kohë për të krijuar ekipin e duhur.
Gjithsesi, e rëndësishme është që tek Partizani nuk ka probleme të brendshme, ndonëse flitet se ka ende ndërhyrje.
Dyshja Gazmend Demi-Olsi Rama mesa duket po krijon një ambient të qetë, që ta lejojë trajnerin të punojë siç duhet./abcnews.al