Ukraina ka rinisur sulmet ndaj rafinerive ruse me një sulm në rajonin e Ryazanit, tha guvernatori rajonal. Kjo erdhi pas paralajmërimit të presidentit ukrainas, Volodymyr Zeelensky, se do të rifillojë sulmet ndaj rafinerive ruse të naftës, pasi akuzoi SHBA-në për tërheqje të mbështetjes thelbësore.
Presidenti ukrainas tha se kishte kufizuar sulme të tilla për tre ditë me urdhër të Uashingtonit, ndërsa Rusia kishte vazhduar të godiste infrastrukturën energjetike të Ukrainës. “Mbaruam”, ka thënë ai për Financial Times.
Zelensky akuzoi gjithashtu SHBA-në për tërheqjen e ndarjes së inteligjencës mbi sulmet ruse, për të ushtruar presion mbi Kievin që t’i japë fund sulmeve pasi SHBA arriti një marrëveshje për të importuar naftë ruse, dhe tha se një ngadalësim i shërbimeve satelitore Starlink të përdorura nga ushtria e Ukrainës ishte i qëllimshëm.
Ai më parë tha se do të binte dakord me të ashtuquajturin “armëpushim energjetik” të shpallur nga presidenti i SHBA-së Donald Trump të dielën nëse edhe Moska do ta respektonte atë.
Por Zelensky akuzoi Rusinë se e injoroi marrëveshjen e propozuar brenda pak orësh nga shpallja e saj, me sulme që lanë qindra mijëra ukrainas pa energji elektrike.
Udhëheqësi ukrainas tha se zyrtarëve ukrainas u ishte thënë nga homologët amerikanë se “nëse nuk i ndalni sulmet, ne do të bllokojmë inteligjencën”.
Ushtria e Ukrainës mbështetet në alarmet e paralajmërimit të hershëm të SHBA-së për sulmet ajrore ruse që vijnë në mënyrë që ta ngrisë mbrojtje ajrore, ndërsa lidhjet e internetit Starlink përdoren gjatë gjithë përpjekjeve të saj të luftës.


