Operacion në Tiranë, policia arreston 11 persona

schedule15:12 - 2 Shkurt, 2021

schedule 15:12 - 2 Shkurt, 2021

Policia e Tiranës ka arrestuar 11 persona, të akuzuar për trafikim të lëndëve narkotike. Arrestimi i tyre ka ardhur pas finalizimit të operacionit të koduar “Galeria”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve.

Sipas bluve të kryeqytetit janë sekuestruar doza me lëndë narkotike kokainë dhe kanabis, 3 armë të ftohta, 2 aparate celular dhe 1 automjet.  11 personat u arrestuan në flagrancë në kohë dhe në vende të ndryshme.

Njoftimi i plotë:

Finalizohet operacioni policor i koduar “Galeria”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve.

Vihen në pranga 11 shtetas.

Sekuestrohen doza me lëndë narkotike kokainë dhe kanabis, 3 armë të ftohta, 2 aparate celular dhe 1 automjet.

Si rezultat i një pune të vazhdueshme hetimore për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes së lëndëve narkotike, specialistët për Hetimin e Narkotikëve organizuan punën dhe finalizuan operacionin e koduar “Galeria”, në kuadër të të cilit u arrestuan në flagrancë në kohë dhe në vende të ndryshme, shtetasit:

  • A. H., 29 vjeç, për veprën penale “Prodhim dhe shitja e narkotikëve”;
  • A. H., 48 vjeç, për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, pasi ka shkelur masën e qëndrimit “Arrest në shtëpi”;
  • A. H., 34 vjeç, për veprën penale “Përshtatja e lokalit për përdorim droge”;
  • A. K., 28 vjeç, E. S., 42 vjeç dhe F. Ll., 30 vjeç, për veprën penale “Moskallëzim i krimit”.

Shtetasi A. H., 34 vjeç, në kundërshtim me masat anticovid, kishte përshtatur lokalin e tij për përdorim dhe konsumin të lëndëve narkotike, ku ishin të pranishëm shtetasit e tjerë lartpërmendur.

  • E. H., 35 vjeç, E. S., 22 vjeç dhe R. D., 31 vjeç, të tre banues në Tiranë.

Forcat e Posaçme “Shqiponjat” kanë ndaluar për kontroll në Rrugën e Dibrës, mjetin me drejtues shtetasin E. H. dhe pasagjerë shtetasit E. S dhe R. D. Gjatë kontrollit në mjet u gjetën dhe u sekuestruan doza me lëndë narkotike kokainë dhe kanabis dhe 3 armë të ftohta (thika).

  • N. L., 36 vjeç dhe S. K., 26 vjeç, të dy banues në Tiranë.

Në një lokal të marrë me qira, shtetasi N. L., në bashkëpunim me shtetasin S. K., merrej me shpërndarjen e lëndëve narkotike kanabis dhe kokainë. Gjithashtu, gjatë kontrollit fizik shtetasit N. L. iu gjet një aparat celular, i cili dyshohet se përdorej për ushtrimin e aktivitetit të jashtëligjshëm të lojërave të fatit.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar rreth 40 doza me lëndë narkotike kanabis, 10 doza me lëndë narkotike kokainë, 3 armë të ftohta (thika), 2 aparate celular dhe 1 automjet.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!