Tërheqja nga futbolli është vendimi më i vështirë për një lojtar. Kur je vetëm 24 vjeç bëhet edhe më e dhimbshme. Lorik Aliu ka lindur në Prishtinë, aktivizohej në rolin e qendërmbrojtësit dhe shkatërruesit, teksa menaxhohej nga Altin Lala, ish-kapiteni i kombëtares kuqezi.
Gjatë karrierës së tij të shkurtër luajti me Prishtinën dhe Llapin. Me skuadrën nga Podujeva u nda në gushtin e vitit të kaluar. Sot ka bërë publik vendimin e tërheqjes, kjo për shkak të dëmtimeve të shumta që ka pësuar në karrierë.
Aliu shpjegon vendimin e tij në një postim të bërë në rrjetet sociale. Ai provoi ndjesinë e aktivizimit me Shqipërinë U17 (3 ndeshje dhe 1 gol) dhe Shqipërinë U19 (2 ndeshje). Dikur kryente një test te Borussia Dortmund, bashkë me emra si Latifi dhe Gavazaj.
Familjarë, shoqëri, dashamirë të futbollit!
Po shfrytëzoj këtë postim për t’ju dhënë një lajm jo të mirë për mua dhe të…Posted by Lorik Aliu on Friday, 25 December 2020
“Familjarë, shoqëri, dashamirë të futbollit! Po shfrytëzoj këtë postim për t’ju dhënë një lajm jo të mirë për mua dhe të gjithë ata që më projektuan në majat e sportit më të bukur, FUTBOLLIT. Kam vendosur që përfundimisht t’i jap fund karrierës time si futbollist aktiv, për shkak të lëndimeve të shumta duke e cilësuar si vendimin më të drejtë.
Është tejet e vështirë që të vendos atletet në gozhdë, pasi që ëndrra më e madhe e jetës time u ndërpre e u shua shumë shpejt. Ëndrra për tu bërë futbollist profesionist i nivelit të lartë, do ngelet në sirtarin tim, si e parealizuar përjetësisht.
Dua që t’ju falënderoj të gjithëve që më qëndruat afër nga dita e parë e deri sot, dhe bashkëndjetë me mua dhimbje, zhgënjime e triumfe, por fati deshi të përfundonte kështu. Shihemi në sfida të reja!“, shkruan Lorik Aliu. /abcnews.al