Takimi i radhës i Thaçit dhe Vuçiç do të jetë në Shtator

schedule12:47 - 21 Korrik, 2018

schedule 12:47 - 21 Korrik, 2018

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai Serbisë ,Aleksandër Vuçiç do të takohen sërish në fillim të muajit Shtator në përpjekje për të arritur një marrëveshje përfundimtare dhe pse ajo sipas tyre mund të jetë shumë e dhimbshme.

Dialogu mes Kosovës e Serbisë, me ndërmjetësimin e Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit europian, Federica Mogherini, ka hyrë në fazën intensive. Gjatë verës presidenti serb Aleksandër Vuçiç e Hashim Thaçi u takuan dy herë. Në një përgjigje për Gazetën Express, zëdhënësja e Zyrës së Mogherinit, Maja Koçijançiç tha se takimi i radhës në Bruksel do të realizohet në fillim të Shtatorit.

“Në takimin e fundit e Dialogut në Nivelin e Lartë, të cilin e drejtoi Përfaqësuesja e Lartë më 18 Korrik, dy presidentët analizuan progresin në marrëveshjet e deritanishme dhe ranë dakord që të ritakohen në fillim të Shtatorit”, shtoi më tej Koçijançiç

Takimet mes dy liderëve janë bërë më të shpeshta, ndërsa palët dhe ndërkombëtarët kanë paralajmëruar një fazë intensive të dialogut deri në arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare.

Vuçiç dhe Thaçi në deklarata për media të ndryshme kanë përsëritur disa herë se kjo marrëveshje mund të jetë shumë e dhimbshme./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!