“E njoh Ndreun”, Imeri: Kastrioti i rrezikshëm, nesër vendosin detajet e vogla

schedule16:16 - 8 Dhjetor, 2020

schedule 16:16 - 8 Dhjetor, 2020

Demir Imeri erdhi në verë te Vllaznia dhe u shndërrua menjëherë në titullar fiks. Kryesuesit e Kategorisë Superiore luajnë nesër ndaj Kastriotit në Kamzë. Para kësaj ndeshje anësori foli për skuadrën, mungesën e pagave, kundërshtarin dhe paraqitjet e tij.

“Të them të drejtën ndjehem shumë mirë. Vllaznia është një skuadër me djem shumë të mirë, të cilët më kanë ndihmuar të ambientohem shumë shpejt dhe ndjehem sikur të kisha shumë vite këtu. Po bëjmë mirë edhe në terren dhe shpresoj të vazhdojmë kështu. Këtu jam në një skuadër ku tifozët kërkojnë gjithmonë anën ofensive, atë të fitores. Më pëlqen kjo gjë sepse më ka ndodhur edhe me Shkëndijën e Tetovës ku ishte i njëjti presion për të fituar. Megjithatë tashmë jam mësuar me të”.

“E ardhmja? Ta shohim këtë gjë. Jemi në rrugë të mirë dhe pastaj do shohim se çfarë ka shkruar Zoti për këtë gjë. Mungesa e golit? Kjo është e vërtetë, kam shënuar tre gola në Kupë dhe kam dhënë dy asiste, ndërkohë që më është anuluar goli i parë në ndeshjen me Apoloninë. Po bëj më të mirën, pres më shumë nga vetja sepse i di kualitetet e mia, por është mirë që skuadra po ecën mirë dhe shpresoj të vazhdojmë kështu. Gol nesër? Pse jo, do Zoti!”

“Mënyra e lojës? Ne jemi një skuadër shumë kompakte, pra kur pësojmë, pësojmë të gjithë dhe e njëjta gjë edhe kur shënojmë sepse shënojmë të gjithë. Unë shpresoj që edhe në vazhdim të jetë kështu. Kastrioti? Kastrioti duhet vlerësuar shumë. Kam punuar me profesor Ndreun, e njoh grintën dhe mentalitetin e tij, por ne do të japim më të mirën në fushë”.

“Nesër besoj se do të jetë një ndeshje me shumë grintë dhe besoj se do të vendosin detajet, detaje shumë të vogla. Për mendimin tim besoj se do t’i shfrytëzojmë ato detaje dhe shpresoj të marrim pikët maksimale nga Kamza. Pagat? Nuk jam kompetent për t’iu përgjigjur kësaj pyetje dhe besoj se ka njerëz të tjerë për t’iu përgjigjur. Ne jemi profesionistë dhe kur futemi në fushë, nuk e kemi mendjen askund tjetër përveçse tek ndeshja. Harrojmë çdo gjë tjetër. Besoj se kjo çështje do të zgjidhet shpejt”, u shpreh Imeri. /abcnews.al