Matko Djarmati, drejtori sportiv i Vllaznisë, i ftuar në emisionin “Pressing” në ABC, foli për ecurinë shkodranëve dhe për problemin e pagesave. I pyetur nëse në kampin kuqeblu ka eufori, kroati u shpreh: “Nuk ka eufori, jemi nga fillimi në vend të parë. Nuk e di pse flitet kështu. Pas tre ndeshjeve mund të dalim në konkluzione dhe ide të qarta ku jemi. Të mbyllet faza e parë, kur të kemi luajtur ndaj të gjithëve. Në fund kemi edhe profesor Sulën, që ka parë të luajmë një futboll interesant, tërheqës.
Nuk jemi stabël në mbrojtje, por kur luan me tre mbrapa do kesh hapësira. Krijojmë shumë dhe me Kukësin që humbëm kemi shkuar 40 herë në zonën afër portierit. Pësuam katër gola, një kur kishte mbaruar gjithçka. Punojmë çdo ditë normalisht, tani mendojmë për Kastriotin. Gjithçka shkon mirë për momentin”.
A mund ta krahasojë Djarmati Vllazninë me klubet e tjera? “Ka skuadra që janë nën Vllazninë, si Apolonia e Skënderbeu. Të tjerat janë aty-aty dhe kemi marrë 13 pikë. Jam i kënaqur, pasi kemi fituar katër ndeshje. Është një punë e mirë duhet të them”, thotë drejtori sportiv u kuqebluve, i cili më pas prek edhe temën e pagave dhe faktin që mund të kenë ndikim në ecurinë e skuadrës.
“Çdo gjë është e mundshme, kemi një premtim se do zgjidhet këto ditë. Është situatë e komplikuar. Nga ana e sponsorit nuk ka munguar asgjë. Ka munguar pjesa e bashkisë, por na ndihmojnë shumë në organizim. Në Shkodër të gjithë i marrin lekët, një me një. Për çfarë firmosin i marrin 100 për qind”.
Në fund, në lidhje me titullin Djarmati shtoi: “Asnjëherë nuk e kam përmendur titullin. Kam thënë se do provojmë të kapim kupat e Europës dhe do u hapim probleme skuadrave që janë për titull. Ndeshja më e vështirë për ne ishte me Teutën. Me një lojtar më pak patëm probleme.
Janë ekipi që na ka vendosur në vështirësi dhe pashë mangësi në ekipin tonë. Sa kohë Laçi, Teuta dhe Tirana vazhdojnë kështu, për ne është më mirë. Ne duam katër vendet e para. Vitet e fundit Vllaznia ishte në vendet e fundit. Kemi bërë një objektiv real. Nëse ndodh ta fitojmë titullin, do jetë shumë mirë”. /abcnews.al