Habiten mediat greke, Tsipras: Jemi pranë marrëveshjes me Shqipërinë për kufijtë

schedule11:57 - 13 Korrik, 2018

schedule 11:57 - 13 Korrik, 2018

Kryeministri Tsipras është shprehur se Greqia dhe Shqipëria janë shumë afër arritjes së marrëveshjes. Por në deklaratën e tij në Bruksel ra në sy shprehja “kufijtë mes dy vendeve” si një nga tre çështjet për të cilat po negociohet ende. Mediat greke ngrenë hipoteza për ndryshim të kufijve.

“Zona Ekonomike Ekskluzive, ligji i luftës dhe kufijtë janë çështje që mbeten ende për t’u zgjidhur. Por ne jemi shumë afër gjetjes së një marrëveshjeje të caktuar”.

Kjo ishte deklarata e kryeministrit Aleksis Tsipras, e bërë në një konferencë në Bruksel, e cila ka habitur mediat greke. Aq sa, Protothema shkruan lidhur me një hipotezë për bisedime sekrete për çështjen e kufirit. Por pikërisht kjo fjalë e thënë nga kryeministri Tsipras ka shokuar mediat greke, të cilat mendojnë se ai i referohet ndryshimet të kufijve.

Protothema madje shtron pyetjen nëse kjo deklaratë lidhet me atë të komisionerit të BE-së për zgjerim, Johanes Han, i cili disa ditë më parë tha se “po të ketë marrëveshje ndërmjet Greqisë dhe Shqipërisë, aty do të ketë një ristrukturim kufijsh”. Megjithatë zëdhënësi i tij sqaroi se bëhej fjalë vetëm për diskutimet për Zonën Ekonomike Ekskluzive dhe jo për ndryshime kufijsh.

Mediat raportojnë se kjo deklaratë mbetet ende për t’u sqaruar, pasi nuk përjashtohet mundësia se mund të kemi të bëjmë me një gabim gjuhësor. Ndër të tjera, shefi i qeverisë së Athinës tregoi se është pajtuar me kryeministrin Edi Rama që të dyfishojnë përpjekjet për të zgjidhur çështjet e hapura.

“Duam zgjidhje pozitive sa më shpejt të mundemi. Dy ministrat e Jashtëm të dyfishojnë përpjekjet e tyre, pa pasur ndonjë presion të veçantë, për të parë se deri në çfarë mase mund të kemi një zgjidhje pozitive sa më shpejt të jetë e mundur”, vijon më tej, Tsipras duke shtuar se përcaktimi i Zonës Ekonomike Ekskluzive është avantazh për Greqinë./abcnews.al