Kategoria e Parë rikthehet të shtunën dhe në Sektorin e Garave në FSHF kanë vendosur që të gjithë ndeshjet të zhvillohen ditën e shtunë, prej orës 13:30. Një orar ndryshe për këtë javë, ndërkohë që vërehen se në program janë disa sfida interesante.
Në grupin A spikat Korabi-Besëlidhja, dy skuadra pretendente për t’u ngjitur në Superiore. Dibranët ndajnë vendin e parë me Burrelin (pushim këtë javë) dhe në shtëpi me lezhjanët do tentojnë të marrin pikët e plota. Dinamo, në rrugë të mbarë deri më tani, kundër Vorës është e dënuar të fitojë.
Oriku-Veleçiku dhe Erzeni-Partizani B janë përballjet e tjera të kësaj jave në grupin A, kurse në grupin B Egnatia kryesuese luan në një transfertë delikate me Turbinën. Skuadra e Gugash Maganit synon tre pikët, si zakonisht.
Besa dhe Lushnja janë pushim këtë javë, ndërkohë që Tomori do tentojë të ngjisë shkallët në renditje dhe të konfirmohet si rival për kreun. Beratasit luajnë në transfertë me Flamurtarin e përbërë nga lojtarë të rinj. Kjo javë në grupin B përmbyllet me sfidën Pogradeci-Elbasani, skuadra që nuk kanë marrë asnjë pikë deri më tani. /abcnews.al