Samiti BE-Ballkan në Londër: Në fokus ekonomia, arsimi dhe siguria

schedule22:43 - 9 Korrik, 2018

schedule 22:43 - 9 Korrik, 2018

Zhvillimi ekonomik, arsimi dhe siguria kanë qenë shtyllat e ditës së parë të samitit të ministrave të Jashtëm të BE-së dhe Ballkanit, mbajtur në Londër. Polonia, që merr presidencën e radhës së Unionit, por edhe Gjermania kanë nënvizuar rëndësinë që ka për bllokun integrimi i vendeve të Ballkanit. 

Dita e parë e samitit të pestë për Ballkanin Perëndimor në kuadrin e procesit të Berlinit është zhvilluar në një sfond jo tipik politik britanik. Dorëheqja e ministrit të Jashtëm britanik, Boris Johnson, ka bërë që në samitin e Londrës të merrte pjesë sekretari i Shtetit për Europën dhe Amerikën, Alain Duncan.

Por  kjo nuk ka penguar ministrat e jashtëm të Ballkanin Perëndimor që së bashku me disa homologë të Bashkimit Europian dhe përfaqësues të institucioneve europiane të diskutojnë mbi tre boshtet kryesore të takimit: Nxitja e rritjes ekonomike në Balkan përmes mbështetjes së tregut ekonomik rajonal dhe ndihmës për bizneset e vogle dhe të mesme, siguria ligjore dhe migracioni, si dhe mbështetja e shkollimit dhe punësimit të të rinjve në Ballkanin Perëndimor.

Britania e Madhe ka anonçuar një ndihmë të rëndësishme për dixhitalizimin e shkollave në Ballkan.

Alan Duncan, sekretar i shtetit  britanik për Europën dhe Amerikën: “Ne kemi shpenzuar gjithë ditën duke diskutuar se si ta transformojmë vizionin tonë për Ballkanin Perëndimor në një realitet. Ne kemi bërë të mundur pjesëmarrjen e shumë të rinjve nga rajoni, duke qenë se zëri i tyre dhe vizioni i tyre është thelbësor për të ardhmen e rajonit. Në përfundim të këtij takimi, Britania e Madhe ka kënaqësinë që të deklarojë se do të investojë 10 milionë paundë për trajnimin dixhital të nxënësve në 4.5 mijë shkolla në Ballkanin Perëndimor. Ky investim substancial do t’i ofrojë mundësinë 1 milion nxënësve që të marrin njohjen dhe aftësitë e duhura për të transformuar ekonomitë e tyre. Ne gjithashtu kemi njohur përpjekjet që vendet e rajonit kanë bërë për të trajtuar çështjet e të shkuarës dhe përshëndetëm marrëveshjen e emrit të arritur midis ministrave të jashtëm grekë dhe maqedonas”.

Ministri i Jashtëm gjerman ka theksuar, se integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor përbën një përfitim dypalësh, për Bashkimin Europian dhe vetë rajonin.

Michael Roth, ministër i Jashtëm gjerman: “Ne ofrojmë një kulturë demokratike për vendet e rajonit duke u fokusuar te forcimi i shtetit ligjor, te drejtësia e pavarur dhe të drejtat themelore, liria e medias dhe minoriteteve, ndërkohë që ne mund të mësojmë nga pasuria multietnike dhe multifetare e vendeve të Ballkanit dhe eksperienca e zgjidhjes së konflikteve. Pra, integrimi i këtij rajoni është dydimensional”.

Polonia që merr presidencën e procesit të Berlinit, konsideron, se eksperienca polake për forcimin e kapacitetit administrativ dhe thithjen e fondeve europiane është e vlefshme për rajonin.

Jacek Czaputoëicz, ministri i Jashtëm polak: “Ne kemi përfituar eksperiencë lidhur me reformën administrative dhe thithjen e fondeve të Bashkimit Europian. Ne duam që ta transmetojmë këtë eksperiencë dhe praktikat tona të mira duke e përfshirë në axhendën gjatë presiddencës tonë të procesit të Berlinit. Ne duam që të përqëndrohemi në ndërlidhjen, sigurinë, biznesin dhe arsimin. Ne po konsiderojmë që të punojmë gjithashtu për qeverisjen lokale. Do konsultohemi për këto çështje me partnerët tanë të Ballkanit, në mënyrë që t’i përgjigjemi atyre sa më mirë pritshmërisë së tyre”.

Johannes Hahn, komisioner për Zgjerimin: “Nga ana tjetër, çështja nuk është vetëm të ngrihet pyetja, se çfarë Bashkimi Europian mund të bëjë për ju, por çfarë mund të bëni ju për vendin tuaj? Ka një shprehje shumë të goditur të John Kennedy: “Mos pyet çfarë vendi mund të bëjë për ty, por çfarë mund të bësh ti për vendin”. Kjo është një pikë mbi të cilën ju ftoj të reflektoni”.

Dita e dytë e samitit të Londrës do të mbledhë 6 kryetarët e shteteve dhe të qeverive të Ballkanit Perëndimor dhe zyrtarë të Bashkimit Europian./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!