Hallaçi: Pikë kthese, Kukësi s’ka probleme financiare. Bojkoti? Aspak i vërtetë

schedule19:01 - 21 Nëntor, 2020

schedule 19:01 - 21 Nëntor, 2020

Kukësi mori pikën e parë në kampionat pas barazimit 0-0 në Durrës kundër Teutës vendase. Verilindorët u drejtuan në këtë takim nga zv trajneri Rrahman Hallaçi, pasi Skënder Gega është infektuar me Covid-19.

Hallaçi analizon sfidën në prononcimin e dhënë për Supersort, e quan barazimin në “Niko Dovana” si pikë kthese, sqaron se trajneri Gega ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore dhe mohon faktin që Kukësi ka probleme financiare apo nuk është stërvitur rregullisht.

Nuk mendoj se ishim në mbrojtje, nuk është se pritëm. Kur ekipi kundërshtar ka topin, të gjithë jemi në mbrojtje. E kishim përgatitur ndeshjen për fitore, vinim nga dy humbje në kampionat, por edhe pika vlen përballë një Teute të fortë. Është një pikë kthese, nuk është rezultat negativ.

Lojtarët djersitën shumë, por presim edhe më shumë, pasi janë lojtarë me kualitet, te të cilët kemi investuar shumë. Jemi në rrugën e duhur. Kam qenë në kontakt me Gegën, gjërat i kemi bërë së bashku si staf dhe mendoj se gjërat shkuan mirë.

Profesori është mirë me shëndet, shpresojmë ta kalojë sa më shpejt koronavirusin dhe të kthehet në skuadër. Do të jemi më të qetë kur t’i kemi të gjithë lojtarët në dispozicion. Kemi marrë masa, deri diku ndeshja shkoi mirë.

Ekipi i Teutës është ekip serioz, kanë investuar, por edhe Kukësi investon çdo vit. Kemi gjëra për të përmirësuar, por me kalimin e kohës do jemi më mirë. Trajneri është mungesë e madhe, por kemi qenë në kontakt gjatë gjithë kohës me të.

Pikë kthese sot, por ne jemi Kukësi dhe kemi nivel të lartë, pasi kemi investuar shumë. Presidenti i nderit, Safet Gjici është gjithmonë me ne dhe afër nesh, me zemër dhe me shpirt, por kemi një staf të madh dhe ndihemi komodë.

Ekipi? Nuk ka asnjë problem financiar te Kukësi, kemi dalë çdo ditë në stërvitje. Ne vazhdojmë punën tonë dhe do të ecim përpara. Nuk është e vërtetë që skuadra ka bojkotuar stërvitjen. Nuk e di nga kanë dalë këto fjalë.

Nëse skuadra bën një seancë në fitness apo palestër, kjo nuk do të thotë që Kukësi nuk është stërvitur. Janë gjëra që nuk kanë vlerë për t’u diskutuar, pasi ne jemi stërvitur dhe vazhdojmë punën“, përfundon Hallaçi. /abcnews.al