E kishin quajtur të dobët, deri kur në vitin 2008 ndihmoi Independiente Medelin të kualifikohej në Copa Libertadores. Flasim për Jackson Martinez, sulmuesin kolumbian që shënonte 22 gola atë sezon në kampionat. Titulli kampion u bë i Independiente Medelin pas pesë vitesh dhe sulmuesi fitoi zemrat e tifozëve.
Ishte 23 vjeç dhe mori një ofertë nga Meksika, prej klubit të Jaguares de Chiapas. Firmosi aty dhe sezonin e parë shënoi vetëm nëntë gola, ndërsa në pasuesin katër. Numër i vogël golash, por skuadra e tij shkoi në çerekfinale të Copa Libertadores dhe Martinez dha ndihmën e tij dhe tregoi se mund të shpërthente.
Në sezonin e tretë në Meksikë, 26 vjeç asokohe, shënoi 20 gola në kampionat dhe në Europë e kishin pikasur. Porto ishte klubi që e donte me më shumë ngulm, për të zëvendësuar Radamel Falcaon. Në shpatullat e sulmuesit pesha ishte e rëndë, duke pasur parasysh atë që kishte bërë kolumbiani tjetër me fanellën e portugezëve.
26, 21 dhe 20 gola të shënuar, tre herë fitues i “Këpucës së Artë” në Portugali dhe në sezonin e tij të parë në Europë fitoi titullin kampion. Sulmuesi ishte i rëndësishëm edhe në Champions League për Porton, që e shiti më pas atë tek Atletico Madrid për 35 milion euro.
Dështim total në Spanjë, me 2 gola të shënuar në 15 ndeshje. Fati i spanjollëve që në Kinë po shpenzonin dhe për Jackson Martinez Guangzhou Evergrande pagoi plot 42 milion euro. Klubi i La Liga festoi për atë lëvizje të bërë, pasi mori mbrapsht lekët që i kishte investuar kur e bleu nga Porto.
Nga një sulmues i kompletuar u kthye në një lojtar normal. Vetëm katër gola në Kinë, ku mendohej se do të shpërthente. Një sezon atje dhe më pas rikthim në Portugali, ku iu bashkua Portimonense në huazim dhe më pas u transferua me parametra zero.
Dy sezonet e fundit shënoi 10 gola në rreth 50 ndeshje të luajtura. Me kalimin e të 30-ve Jackson Martinez nuk mund të bënte atë që kishte realizuar te Porto, edhe për shkak të dëmtimeve që e kishin penalizuar. Futbolli është i tillë dhe harrohesh shpejt.
Tani, lojtari për të cilin u paguan më shumë se 70 milion euro për ta transferuar, ka gjetur një tjetër rrugë dhe po jeton në Kolumbi, aty ku po ndjek pasionin e tij. Jackson Martinez tani është një artist i muzikës hip-hop dhe golat e tij mund të jenë vetëm bitet dhe rimat… /abcnews.al