Shqipëria humbet në moshën 101-vjeçare Luan Omarin, një prej figurave që shënuan historinë e shkencës dhe së drejtës në vend. Akademiku dhe konstitucionalisti i njohur, anëtar themelues i Akademisë së Shkencave, u nda nga jeta këtë të enjte, duke lënë pas një karrierë të gjatë në botën universitare dhe juridike shqiptare.
Anëtari i Akademisë së Shkencave, Kosta Barjaba thotë se Omari ishte pedagog elokuent që ngjallte interes te studentët.
Në një intervistë për “Ora e Njëmbëdhjetë” në ABC News, Barjaba deklaroi se Omari ka lënë pas kontribute të mëdha.
“E kam njohur në të gjitha fazat e jetës sime studentore dhe akademike, kam qenë student i tij. Kam qenë koleg i tij. Luan Omari ishte profesori ynë i teorisë së shtetit të së drejtës. Në lëndën e tij, atij i vinin studentë nga degë të tjera, nga kurioziteti dhe dëshira që kishin të dëgjonin profesor Luan Omarin. Ka qenë ndër pedagogët më elokuent që kam njohur. Profesor Luani jepte edhe mësim në Universitetin e Prishtinës në ato vite të vështira. Figura e tij ka mbetur e pashlyer në kujtimet e studentëve. Ka lënë pas kontribute, vepra dhe institucione ku ka kontribuar. Ai jeton te studentët, kolegët, mendoj se kjo është vlera dhe kontributi më i madh i tij në Akademinë e Shkencave dhe Universitetin e Tiranës”, theksoi ai./abcnews.al


