Titulli nuk vendoset tani, dhe as vetëm nga sfida të tilla, por gjithsesi ky sukses ka shumë vlerë.
Egnatia fitoi duelin direkt të majës së Superligë ndaj Teutës, duke ia dalë minimalisht 1-0 në Arenën e saj të Rrogozhinës.
Kampionët në fuqi morën tri pikët falë një goli vonë në pjesën e dytë, ndërsa luajtën ndeshjen e tretë në vetëm 8 ditë, në një kalendar vërtet tepër të ngarkuar.
Ishte një luftë e ashpër mes atyre që janë dy pretendentët kryesorë për titull këtë sezon, dhe që fare mirë mund të kishte përfunduar në çdo lloj mënyre.
Mund të kishte dalë barazim, apo të kishin fituar durrsakët.
Trajneri I tyre, Edlir Tetova, ishte për herë të parë kundër ish-ekipit me të cilin doli dy herë kampion, dhe që e udhëhoqi deri afër fundit edhe të sezonit të kaluar.
“Djemtë e detit” I patën rastet e tyre, dhe portieri vendas, Dajsinani, u bë shpëtimtar disa herë.
Edhe gardiani I Teutës, Bernardoni e bëri detyrën e tij.
Ndeshja e javës së 9-të të kampionatit u vendos në 68’ kur shënoi një nga të zakonshmit e kampionëve, Adjesa, ndërsa trajneri Nevil Dede nuk bëri ndonjë rotacion të fortë, për vetë rëndësinë e këtij dueli.
Lufta në fushë ishte e ashpër, me kartonë, me faulla e me nerva, ndërsa më keq e pësoi mbrojtësi vendas, Sota, që u dëmtua dhe mund të mungojë disa kohë.
Pas kësaj ndeshjeje, Egnatia doli në krye të Superligës me 21 pikë ndaj 20 të Teutës, ndërsa Dinamo ka mbetur 5 pikë prapa pas barazimit në derbi ndaj Tiranës.


