Të paktën nëntë persona kanë vdekur dhe disa të tjerë kanë mbetur të plagosur si pasojë e shpërthimit të një bombole oksigjeni brenda një ambulance në jug të Pakistanit.
Sipas informacioneve paraprake, aksidenti ndodhi të mërkurën në mbrëmje, në një spital lokal në distriktin Tharparkar, në provincën Sindh. Në momentin e ngjarjes, stafi mjekësor po përgatitej të transferonte disa pacientë drejt një spitali tjetër.
Policia bën me dije se shpërthimi ndodhi gjatë montimit të bombolës së oksigjenit në ambulancë. Pas shpërthimit, automjeti u përfshi nga flakët, duke shkaktuar viktima dhe të lënduar.
Mes personave që humbën jetën raportohet se ka pacientë dhe punonjës të spitalit. Ndërsa pesë persona të tjerë kanë pësuar djegie të rënda dhe janë dërguar për trajtim mjekësor.
Ndërkohë, autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e shpërthimit dhe për të përcaktuar rrethanat e plota të kësaj ngjarjeje tragjike.


