Policia e Barcelonës ka arrestuar 8 shtetas shqiptarë. Ata akuzohen se kanë grabitur mbi 30 banesa në rajonin e Katalonjës.
Policia rajonale e Katalonjës ka shkatërruar një bandë shumë të rrezikshme shqiptare në Barcelonë. Në pranga kanë rënë 8 shtetas shqiptarë, idenditeti i të cilëve nuk bëhet i ditur. Aktiviteti i tyre kryesor kriminal ishte grabitja e banesave. Pas një hetimi të nisur vitin e kaluar, policia e Barcelonës ka mësuar se 8 shqiptarët, që prej tetorit të kaluar kanë grabitur më shumë se 30 banesa.
Pjestarët e bandës kriminale synonin të godisnin tek banesat që ishin larg qëndrave të urbanizuara. Objektivi i tyre kryesor ishin paratë dhe bizhuteritë dhe para se të kryenin grabitjet merrnin shumë masa për të mos u zbuluar nga policia. Gjatë operacioneve të tyre kriminale, shqiptarët përdornin makina të palëve të treta dhe i parkonin shumë larg ndërtesave mundësisht në pyll dhe pastaj ecnin në këmbë. Madje në shumë raste ata përdornin metro për të mos tërhequr vëmendjen e policisë.
Shqiptarët grupoheshin deri në 4 persona për të kryer goditjet e tyre. Madje, mediat spanjolle shkruajnë se ata nxisnin bashkëatdhetarët që të shkonin në Barcelonë për tu marrë me këtë aktivitet kriminal. Në këmbim shqiptarët ofronin shpërblime materiale dhe vendqëndrimi. Banda e rrezikshme nuk ka kryer grabitje vetëm në Katalonjë, por edhe në vende të tjera Europiane./abcnews.al