Një kompani austriake u prezantoi banorëve të Korçës një projekt për ndërtimin e një TEC-i që do të sigurojë ngrohjen me avull për banorët. Ky projekt pritet të nisë zbatimin në vitin 2019.
Brenda pak vitesh, Korça do të ketë një termoelektrocentral, që do të përdorë si lëndë të parë gazin. Kompania austriake, që ka marrë përsipër ndërtimin e TEC-it, për të cilin do të investohen rreth 400 milionë euro, prezantoi para grupeve të interesit dhe qytetarëve, avantazhet e veprës energjitike. Impianti, që parashikon të prodhojë 500 megavat energji, do të mundësojëngrohjen me avull për qytetarët, duke reduktuar ndotjen e lartë, që shkakton përdorimi i druve të zjarrit dhe qymyrit, gjatë muajve të dimrit. Vepra energjitike ofron teknologji të avancuar, që siguron ndikim të ulët në mjedis dhe krijon impakt në sekrorët ekonomikë dhe socialë.
“Padiskutim që duke marrë konisderatë projektin që ne do të zhvillojmë në rang kombëtar, është e një rëndësie të madhe potenciale. Por megjithatë, ne jemi këtu për të folur për aspektet pozitive që ky projekt ka në nivel lokal. Qyteti i Korçës ka shumë nevojë. Kur e vizitova për herë të pare Korçën kam ndjerë një ndotje të madhe të ajrit për shkak të mjeteve që janë përdorur për ngrohjen në qytet. Në këto kushte, ne duam të afrojmë një ngrohje për gjithë qytetin duke minimizuar ndjeshëm shkallën e ndotjes në mjedis”.
Por si edhe në projekte të tjera, banorët kundërshtojnë çmimin e vendosur për shpronësim, i cili është 250 lekë të reja për metër katror. Kurse ambientalistët i sugjeruan kompanisë të diskutojë mundësinë e ndërtimit të TEC-it në një sipërfaqe toke joproduktive. Ndërtimi i TEC-it pritet të fillojë në vitin 2019 dhe parashikohet të përfundojë në 2022-shin, periudhë që përkon edhe me finalizimin e projektit të TAP, nga i cili do sigurohet lënda djegëse./abcnews.al