Porositë e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hitaj, nga Korça, në prag të nisjes së vitit të ri shkollor, kanë në fokus sigurinë e nxënësve dhe forcimin e kontrollit pranë institucioneve arsimore. Gjatë takimit me strukturat vendore të Policisë, Hitaj ka kërkuar shtimin e kontrolleve në perimetrin e sigurisë së shkollave dhe angazhim maksimal për garantimin e rendit dhe sigurisë publike.
Një tjetër prioritet i përcaktuar prej tij ka qenë parandalimi i shpërndarjes së lëndëve narkotike në mjediset shkollore. Për këtë, është kërkuar forcimi i bashkëpunimit të Policisë me drejtoritë arsimore dhe institucionet e tjera përgjegjëse.
Takimi i zhvilluar në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, ku Hitaj u prit nga drejtuesi Vilson Bala, është zhvilluar në kuadër të turit të takimeve që kreu i Policisë së Shtetit ka nisur në qarqe, në prag të fillimit të procesit mësimor.
Në fokus të diskutimeve kanë qenë edhe krimet ndërkufitare. Hitaj ka kërkuar intensifikimin e hetimeve dhe goditjen e rasteve të ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit, veçanërisht në një qark kufitar si Korça.
Sa i takon sigurisë rrugore, porosia ka qenë përdorimi më i gjerë i teknologjisë dhe reduktimi i kontrolleve fizike të mjeteve në akset rrugore, duke orientuar kontrollet drejt mjeteve dhe rasteve me risk.
Në përfundim të takimit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka kërkuar nga strukturat vendore intensifikimin e luftës kundër grupeve kriminale, rritjen e angazhimit operacional dhe forcimin e masave për garantimin e sigurisë publike.


