Bizneset në jug s’respektojnë masat anti-Covid, Unioni Turistik apel për të zbatuar protokollin

schedule17:55 - 20 Gusht, 2020

schedule 17:55 - 20 Gusht, 2020

Erblina Mile

Jugu është kthyer në një vatër të rrezikshme të përhapjes së Covid-19 në vend.

Kreu i unionit Turistik Shqiptar Rrahman Kasa thekson se në hotele dhe në restorante në jug  nuk zbatohen protokollet anti-Covid duke i shtuar ndjeshëm  rastet në vend.

Përkeqësimi i situatës ndikon negativisht  në turizëm dhe për këtë i bëhet apel subjekteve të bëjnë kujdes.

“Në zonën e jugut për fat të keq nuk zbatohet. Unë isha andej vetë dhe pashë që nuk përdoreshin maska. Çadrat afër shezllonet shumë afër…Ky është një problem i madh. Duhet që bizneset të marrin masat dhe më mirë të fitojnë më pak sesa të krijojnë një vatër të re infeksioni që do u mbyllë aktivitetin,” shprehet Kasa.

Mbyllja e kufijve ka bërë që  deri në 20 Gusht në vend të hyjnë vetëm 60 mijë turistë. Ndërsa jemi drejt fundit të sezonit parashikohet që  këtë vit në Shqipëri të vijnë vetëm 20-25% e numrit të turistëve që ishin  një vit më parë.

“Ndoshta mund të kemi diku tek 3000 turistë në javë. Për 20 javë nëse do i marrim të mirëqenë mund të kemi 50-60 mijë vetë, turistë të organizuar,” shpjegon ai.

Sipas kreut të Unionit Turistik nëse një situatë e tillë do të vazhdojë atëherë  shumë agjenci turistike do të falimentojnë. Rrahman Kasa i  bën apel shtetit që të ndihmojnë këtë sektor duke  i dhënë pagat e luftës për punonjësit deri në përmirësim të situatës

Vitin e kaluar ekonomia shqiptare përfitoi 2 miliard euro vetëm nga sektori i turizmit ndërsa këtë vit parashikohet që fitimet të jenë vetëm  20% e kësaj shumë ose vetëm 400 milion euro. /abcnews.al/