Platforma “Pasqyra e Çmimeve” pritet të nisë funksionimin më 1 tetor, me synimin për të rritur transparencën mbi çmimet e produkteve në treg.
Eksperti i ekonomisë Igli Tola, i ftuar në emisionin “Sheshi i Dollarit” në ABC News, tha se pjesa më e madhe e shportës së konsumit në Shqipëri është e importuar, çka sipas tij e bën të rëndësishëm gjurmimin e produkteve që hyjnë në vend.
“Sot pjesa dërrmuese e shportës së konsumit është e importuar. Dhe në këtë rast nuk është shumë i nevojshëm gjurmimi i tregut vendas. Por produkti që vjen në import e ka detyrim të evidentohen tatimet apo tarifat që paguan. Dhe pretendojmë që nuk ka shitje pa faturë”, u shpreh Tola.
Sipas tij, transparenca përmes platformës mund të sjellë një vlerë të shtuar për konsumatorët, por nuk duhet të jetë e vetmja masë.
“Pra, një qytetar shqiptar paguan 40% për shportën bazë të konsumit. Pra, transparenca përmes portalit të çmimeve mund të sjellë vlerë, por nuk duhet të mbetet me aq”, tha eksperti.
Nga ana tjetër, ekspertja e ekonomisë Teuta Nunaj e vlerësoi nismën si një ndihmë për konsumatorët, por jo si një zgjidhje përfundimtare.
“Që platforma të ketë sukses duhet që të dy palët të kenë bashkëpunim. Duhet të ketë bashkëpunim qeveri-biznes. Edhe biznesi duhet të gjejë elementë që i përmirësojnë apo i sjellin avantazhe”, deklaroi Nunaj.
Sipas saj, efektiviteti i platformës do të varet edhe nga mënyra se si do të zbatohet dhe nga vëmendja që do t’i kushtojë qeveria.
“Suksesi në këtë rast do të duhet të shihet edhe te fakti se sa vëmendje do t’i japë qeveria. Por unë gjykoj që kjo mënyrë mund të jetë mjet ndihmues, por jo një mjet që të çojë në zgjidhje”, tha Nunaj.
/abcnews.al/

