Ish-ministrja demokrate e Integrimit Majlinda Bregu është zgjedhur në postin e Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal. Zgjedhjet u mbajtën disa ditë më parë dhe Bregu ka triumfuar ndaj ministrit të Jashtëm të Malit të Zi, Igor Luks.
Duke njoftuar lajmin në rrjetet sociale, Bregu e konsideron një fitore që i takon Shqipërisë. Në listën e falenderimeve të Bregut për besimin e mbështetjen, është edhe ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati.
“Një falenderim miqësor për Ditmirin. Na ndajnë sinoret politike, por na bashkoi qasja Europiane dhe përpjekja për të punuar pro Shqipërisë!”, shkruan Bregu.
Ish-deputetja e PD thotë se ndihet e nderuar që është e para shqiptare që merr drejtimin ekzekutiv të institucionit që ka si mision fuqizimin dhe rritjen e bashkëpunimit në vendet e Europës Juglindore.
Bregu do e marrë detyrën nga serbi Goran Svilanović, që e ka drejtuar këtë institucion për dy mandate.
“E di që do të jetë një sfidë e vështirë, por nganjëherë e vështira është më e mira!”, thotë Bregu./abcnews.al