Koloneli Sami Neziri, i ftuar në emisionin “War Report”, ka komentuar paralajmërimin britanik për nevojën që vendet evropiane dhe anëtaret e NATO-s të forcojnë kapacitetet e tyre mbrojtëse, në funksion të përgatitjes për kërcënime të mundshme nga Rusia deri në vitin 2030.
Neziri theksoi se ky paralajmërim, i dhënë pas agresionit rus në Ukrainë, synon rritjen e gatishmërisë ushtarake dhe parandalimin e një agresioni të mundshëm, duke nënvizuar se situata nuk duhet të shkaktojë panik, por të shërbejë si nxitje për përgatitje dhe forcim të mbrojtjes evropiane.
“Ka qenë një paralajmërim i hershëm, që menjëherë pas agresionit rus në Ukrainë, të ishin të përgatitur për një agresion tjetër deri në vitin 2030. Kjo ishte një faktor që t’i ktheheshin kapaciteteve mbrojtëse dhe ushtarake.
Para agresionit rus Europa i kishte mbështetur të gjitha kapacitete te SHBA, paralajmërimi i sekretarit britanik të mbrojtjes, ishte një paralajmërim për të gjitha vende. Nuk duhet të ketë vend për panik.
Sepse të thuash që ne duhet të jemi gati për të përballuar një agresion nga Rusia, nuk do të thotë që ne do të kemi një agresion, por që shtetet e NATO-s duhet të jenë të përgatitura në atë shkallë që të parandalojnë agresionin rus”, tha Neziri.


