Ka rënë numri i aksidenteve tre mujorin e parë të vitit 2018, krahasuar me një vit më parë. Të dhënat e publikuara nga INSTAT tregojnë se shkaktarët kryesorë të aksidenteve janë këmbësorët.
Më pak aksidente e të aksidentuar numërohen në Marsin e këtij viti krahasuar me një vit më parë. Të dhënat e publikuara së fundi nga Instituti i Statistikave tregojnë se në Mars 2018 shënohen 123 aksidente rrugore, nga 152 që ishin në Mars 2017, duke u ulur me 19,1 %. 160 janë të aksidentuarit nga 213 që ishte një vit më parë, duke u ulur 24,9 %.
Rënie ka përsuar edhe numri i të aksidentuarve në tremujorin e parë 2018; 483, duke ulur 8,9 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Në muajin Mars 2018, numri i të vdekurve nga aksidentet rrugore është 14 persona, nga 16 që ishte një vit më parë për të njëjtën periudhë. Ndërsa për tre muajt e parë të këtij viti, bilanci tragjik është 47, duke pësuar gjithashtu rënie me 14,5 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Nëse në Mars shkaku kryesor i aksidenteve kanë qenë drejtuesit e mjeteve, bilanci i tre mujorit të parë të vitit e drejton gishtin tek këmbësorët.
Gjatë kësaj periudhe, numri i aksidenteve, sipas sjelljes së këmbësorit, është rritur 12,7 %, krahasuar me të njëjtën periudhe të një viti më parë./abcnews.al