Eksperti i sigurisë Redion Qirjazi vlerëson se Ukraina nuk mund të përballojë luftën me Rusinë pa mbështetjen e SHBA-së dhe vendeve perëndimore.
Sipas tij, prioritetet e Uashingtonit po orientohen gjithnjë e më shumë drejt ekonomisë amerikane, ndërsa Europa ka bërë llogaritje të gabuara në mbështetjen për Kievin. Qirjazi paralajmëron shtrëngim të vijës së frontit dhe thekson se Ukraina mund të detyrohet të pranojë vendime të vështira.
“Ne shohim një qeveri amerikane që i kushton një rëndësi më të madhe prosperitet më të madh ekonomisë amerikane. Është edhe kjo tradhtia që është bërë nga vetë europianët. Kanë bërë keqllogaritje dhe me investimet që kanë bërë për të avancuar sigurinë e tyre ushtarake kanë lënë pak në harresë Ukrainën. Për Ukrainën duhet parë beteja në dy fronte.
Ajo që ne mund të presim të ndodhë në të ardhmen është që të kemi një shtrëngim të vijës së frontit. Mendoj që mund të shohim një rikonfigurim të vetë Rusisë. Ukraina nuk mund t’ia dalë në pikën që është tani pa ndihmën e shteteve perëndimore dhe SHBA.
Prandaj dhe Zelensky thotë që ardhja jonë këtu ka ardhur nga ndihma e partnerëve tanë. Por, Ukraina nuk mund të ndikojë politikat e jashtme të SHBA. Është një situatë ku Ukraina do duhet që ta pranojë edhe është një pilulë e hidhur që do duhet ta gëlltisë për të disatën herë”, tha Qirjazi.


