Emanuel Egbo, trajneri i Tiranës, foli pas ndeshjes së fituar 2-0 kundër Flamurtarit për Supersport, aty ku analizoi ndeshjen, foli për sprintin final dhe për disa probleme në mbrojtje.
“Pas kësaj ndeshje, do të kemi më shumë ditë pushim. Para sfidës me Flamurtarin, kishim shumë pak ditë rikuperimi. Ishin të lodhur nga Kupa disa lojtarë, ishte dhe pikë vape sot, në orën 17:30. Tani do të kemi më shumë ditë kohë pushim për të përgatitur ndeshjen kundër Laçit.
Jam i kënaqur me ndeshjen sot, pasi në fund të fundit, na duhen tre pikët. Tani është sprinti i fundit dhe emocioni është, plus lodhje, vapa. Nuk kishim bërë thuajse fare stërvitje para kësaj ndeshje. E rëndësishme ishte të merrnim vetëm tre pikët në këtë takim.
Mbrojtja? Edhe mbrojtësit janë të lodhur, kanë luajtur në Kupë para dy ditësh. Kanë luajtur 90 minuta, ekipi që kishim përballë luajti shumë poshtë, nuk kishim mundësi të kapnim me kundërsulm. Me ndeshjet e ardhshme, edhe mbrojtja jonë do të ketë përmirësim, pasi do të kemi më shumë ditë kohë rikuperimi.
E ardhmja? Nuk do kem asnjë vështirësi vitin tjetër, pasi ne nuk jemi një ekip, por një familje. Nuk ka rëndësi kush luan më shumë, kush më pak. E rëndësishme është e ardhmja e Tiranës. Unë i falënderoj të gjithë lojtarët, edhe ata në fushë, edhe ata në stol, për mbështetjen që i kanë dhënë ekipit. Kjo organikë, ka bazë, ka shumë lojtarë që janë futbollistë grupi dhe do të jenë të rëndësishëm për sezonin tjetër”, u shpreh Egbo./abcnews.al