Sondazh

Vendimi i Hagës:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Veshja tradicionale e Mirditës/ Age Ndoja e veshi kostumin tradicional për herë të parë kur ishte 17 vjeçe

schedule20:47 - 10 Tetor, 2026

schedule 20:47 - 10 Tetor, 2026

50 vite më parë, Age Ndoja e veshi këtë kostum për herë të parë.

Ishte 17 vjeçe dhe po bëhej nuse.Nuk kishte vello. Kishte veshjen tradicionale të Mirditës, atë që para saj e kishin veshur nëna, gjyshja e stërgjyshja dhe që, edhe sot, vazhdon të ruhet në familjen e saj.

“Unë këtë veshje e kam vesh kur kam bo 17 vjeç, e kam vesh për herë të parë si nuse, ditën e parë të martesës. Ishte traditë se Mirdita e ka zakon. Edhe njerëzit e mi, mamaja, kunata e të gjithë e kanë veshur. Edhe këtë veshje po e trashëgojmë prapë brez pas brezi, edhe nipave e mbesave do ua trashëgojmë.”



Veshja e nuses nuk ishte thjesht një kostum. Ajo shoqëronte çdo hap të ritit të martesës.Në kokë vihet kapuci me stringla, ndërsa duvaku mbulon fytyrën e nuses gjatë rrugës nga shtëpia e prindërve drejt shtëpisë së dhëndrit.

“Ka edhe një mbulesë ky kapuc që e vendos nusja tek fytyra derisa shkon te burri. Kjo është pjesa e duvakut. E kemi mbulu derisa të shkojmë në oborrin e shtëpisë. Kur arrin nusja tek burri, shkon kunata ose vjehrra dhe i zbulon fytyrën.”

Pesë dekada më parë, bashkë me Agen, edhe Leka veshi kostumin tradicional të burrave.

“Për mua ka qenë ky lloj modeli, ndërsa burri ditën e dasmës vesh kostum të zi. Kam vesh këtë veshje kombëtare mirditore, s’kam veshur vello.”

Pavarësisht viteve, veshja nuk ka mbetur në sënduk.Këmisha, jeleku, brezi dhe pantallonat janë ende pjesë e garderobës së Lekës, sa herë familja ka një gëzim.

“Këto veshje i veshim në raste gëzimi, në shumë festa i përdorim. Kam bërë datëlindjen e nipit, jam vesh me këtë kostum. Kemi hyrë në lokal bashkë me gruan me këtë veshje, që s’e ndajmë kurrë nga vetja.”

As Age dhe as Leka nuk e shohin veshjen si një kujtim të së kaluarës. Për ta, ajo është ende pjesë e jetës së përditshme familjare dhe e mënyrës se si përfaqësojnë vendin prej nga vijnë.

“Kemi shkuar në shumë evente në Shqipëri me këtë veshje, po edhe jashtë shtetit. Nuk e heqim kurrë këtë veshje, se kjo është tradita jonë.”

Përgjatë viteve, çifti e ka marrë kostumin me vete në aktivitete e takime kulturore, duke e veshur jo vetëm në festa familjare, por edhe sa herë kanë pasur mundësinë të tregojnë traditën e Mirditës.Dhe pas pesëdhjetë vitesh martesë, historia e kësaj veshjeje nuk mbaron me ta.Ajo vazhdon te fëmijët, nipërit e mbesat dhe te brezi që vjen pas tyre.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!