Prej dekadash, mozaikët e Butrintit nuk janë vetëm një pasuri arkeologjike për ata që punojnë pranë parkut. Ata janë kthyer edhe në një burim frymëzimi për artizanët vendas, të cilët simbolet dhe figurat e tyre i kanë sjellë në punime të ndryshme të realizuara me dorë.
Nga qeramika te guri, nga objektet dekorative te magnetet dhe punimet e vogla që turistët marrin si kujtim, motivet e mozaikëve janë përshtatur në forma të ndryshme, duke ruajtur lidhjen me origjinalin.
Puna artizanale kërkon kohë dhe përkushtim. Çdo simbol punohet me kujdes, ndërsa disa prej punimeve kërkojnë ditë të tëra për t’u realizuar. Referenca kryesore mbeten mozaikët e Butrintit dhe simbolet që gjenden në to, por edhe elementë të tjerë të parkut arkeologjik.
Për artizanët që kanë vite që punojnë në Butrint, këto punime janë më shumë se produkte për t’u shitur. Ato janë një mënyrë për të përcjellë historinë e vendit përmes duarve të tyre.
Interesi i vizitorëve është i madh, veçanërisht për punimet e vogla, të cilat janë më të përballueshme dhe mund të merren lehtësisht si kujtim. Por krahas dëshirës për t’i pasur, mbetet edhe kufizimi ekonomik, ndaj punimet e vogla janë ato që kërkohen më shumë.
Kështu, historia e mozaikëve vazhdon edhe jashtë hapësirës arkeologjike. Ajo udhëton me vizitorët përmes një magneti, një pjate qeramike, një figure të punuar me gur apo një tjetër objekti të krijuar me dorë.
Dhe për artizanët, çdo punim është një mënyrë për ta mbajtur të gjallë një pjesë të Butrintit.


