Bashkia e Tiranës do të bashkëfinancojë kthimin e tarracave të ndërtesave në lulishte. Kryebashkiaku Erion Veliaj ishte në fakultetin e Arkitekturës dhe Urbanistikës ku u zbatua ky projekt.
Tarracat e ndërtesave publike dhe private në Tiranë, bashkia po synon t’i kthejë në lulishte. Pas godinës së bashkisë projekti i tarracës së gjelbër është zbatuar edhe në Fakultetin e Arkitekturës dhe Urbanistikës. Kryebashkiaku Erion Veliaj deklaroi se po shqyrton disa propozime.
“Propozimi i parë është të vijojmë me të gjithë ndërtesat publike, çka më pas të ndiqet nga ndërtesat private. Propozimi i dytë është që tarracat e gjelbra në ndërtesat private t’i bëjmë me bashkëfinacim. Sot fatmirësisht, GEF, Europol dhe Ekolëvizja kanë qenë bashkëfinancuesit e ndihmuesit e kësaj përpjekje, por në ndërtesat private këtë mund ta bëjmë fare mirë me fondin e komuniteteve, ku administratori i zgjedhur i pallatit vjen të aplikojë. Ne i japim një manual se si mund të bëhet tarraca e gjelbër dhe më pas bëjmë bashkëfinancimin, 50% Bashkia dhe 50% banorët”, tha Veliaj.
Krybashkiaku iu bëri thirrje banorëve të kryeqyetit që në bashkëpunim me administratorët e pallateve të aplikojnë për të përfituar bashkëfinancim nga bashkia./abcnews.al