Ulja e pragut të TVSH-së favorizon sipërmarrjet e vogla dhe këto procedura janë një normalitet ekonomik e tatimor dhe nuk bëhet fjalë për një taksë të re. Këtë u deklaroi bizneseve të vogla në Shkodër ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj.
Me uljen e pragut të TVSH-s, qeveria ka bërë gjënë e duhur. Qytetarët dhe bizneset do ta kuptojnë shumë shpejt këtë veprim u tha ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, përfaqësuesëve të biznesit të vogël në Shkodër.
“Sot jemi rreth dy javë pasi detyrimi për deklarim ka hyrë në fuqi dhe fakti që nuk ka asnjë ndryshim në çmime, është në referencë të plotë të besimit të asaj që kemi thënë muaj e muaj, që nuk do të ketë ndryshim dhe rritje çmimesh. Përtej kësaj, deklarimi nuk është taksë, por është procedurë”, tha ministri.
Ahmetaj sqaroi se TVSH-ja është një taksë e vendosur në vitin ’96 në masën 20% dhe nuk ka ndryshuar asnjëherë. Janë 9975 biznese në të gjithë Shqipërinë që do të hyjnë në skemën e deklarimit, ndërsa në Shkodër janë 447 të tilla, për të cilat do të aplikohet një deklaratë e thjeshtuar një herë në tre muaj, pa kosto të shtuar për biznesin, madje do të ketë mundësi për kreditim.
“Kemi diskutuar a do të ketë kosto? Ka filluar diskutimi deri tek “do marrim kontabilist dhe do të paguajmë”, e të tjera, e të tjera. Zero kosto! Madje po ju them që në bazë të procedurës që është aq e thjeshtëzuar, do të jetë thjesht plotësim i katër kutive. Më thoni një sipërmarrje të vogël, sado e thjeshtë të jetë, që nuk e di se çfarë ka në inventar? Ditën e parë, ky inventar, pra skanimi i këtij inventari e ndihmon të deklarojë dhe madje të dalë me TVSH të kreditueshme dhe më vonë, edhe të pagueshme, sepse do të ketë mundësi që të deklarojë dhe shpenzime të bëra për drita, për ujë, për qera, apo edhe për punëtorët”, sqaroi Ministri.
Ministri Ahmetaj komentoi edhe protestat e organizuara nga opozita.
“Personalisht e ndoqa atë ditë, demek të mbylljes së qepenave, dhe falenderoj të gjithë qytetarët, përfaqësues të sipërmarrjes së vogë që refuzuan ta politizojnë merakun e tyre dhe vazhduan punën. I falenderoj në emër edhe të gjithë trupës së tatim-taksave, sepse e kanë kuptuar drejt që edhe aty ku ka merak, meraku nuk zgjidhet me bolori politike, paditurie, apo të qëllimshme, por zgjidhet në diskutim me qeverinë”, tha Ahmetaj.
Ministri theksoi se qeveria mbetet e angazhuar për lehtësimin e sipërmarrjes dhe se shumë shpejt do të prezantohen dy lehtësi të reja fiskale.
“Unë do ta theksoj edhe një herë që nuk do të ketë gjoba për biznesin e vogël, për deklarim të gabuar, nuk ka kosto administrative, nuk ka rritje çmimesh, dhe ne do të vazhdojmë t’i mbajmë taksat e ulura dhe 0 për biznesin e vogël. Me iniciativë të Kryeministrit, vetëm javës që vjen bëhen dhe dy vlerësime të rëndësishme fiskale, një për industrinë elektroenergjitike për fotovoltaiket, ku TVSH për makineritë dhe pajisjet bëhet 0, dhe një tjetër për shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor, ku nëpërmjet instrumentit fiskal dhe proçedurial do të trajtohet një ndërmarje bujqësore si një fermer, pa ngarkesë TVSH-je”, përfundoi ministri i Financave dhe Ekonomisë./abcnews.al