Seanca e parë paraprake për fraksionin e inceneratorit të Elbasanit, me 11 të pandehur mes të cilëve është edhe ish zv kryeministri Arben Ahmetaj dështoi të zhvillohej, për shkak se gjyqtari i hetimit paraprak Erjon Çela ia delegoi çështjen Rudina Pallojt.
Çela arsyetoi për palët në proces se dërgimi i çështjeve në gjyq të ndara po nga i njëjti procedim penal shqyrtohen nga i njëjti gjyqtar i seancës paraprake, për rrjedhojë ia kaloi dosjen e kopsitur gjyqtares Palloj.
Procedimi 277/1 buroi nga dosja mëmë e inceneratorit të Elbasanit, ku më herët janë dënuar me vendim të formës së prerë disa persona, në mesin e tyre ish ministri Lefter Koka, ish deputeti Alqi Bllako etj.
Prokuroria e Posaçme dy javë më parë zbriti dosjen për gjykim me 11 të pandehur, Arben Ahmetaj, Albina Mançka, Erjola Hoxha, Mirel Mërtiri, Klodian Zoto, Andi Boni, Elda Dinaj, Gerian Kuka, Helidon Begaj, Sonila Goxhaj dhe Sokol Meqemeja.
Ndaj ish numrit dy të qeverisë, SPAK ka ngritur tre akuza “ korrupsion pasiv” në 9 episode, “pastrim parash” dhe “fshehje dhe mos deklarim pasurie” në 15 raste vetëm ose në bashkëpunim me Erjola Hoxhën dhe Albina Mançkën.
Hetimet e kryera nga prokurorët Altin Dumani, Bledar Maksuti dhe Enkeleda Millonai treguan se Ahmetaj ka përfituar shuma parash nga Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri si dhe ka kryer deklarim të rremë të pasurive dhe ka fshehur disa të ardhura.
Prej muajit korrik të vitit 2023 Arben Ahmetaj është shpallur në kërkim nga Prokuroria e Posaçme dhe ndaj tij është lëshuar një masë sigurie ‘arrest në burg’. Ky i fundit po gjykohet në gjykatën e posaçme edhe për dosjen “Buka sha”, ku dyshohet se ka konsumuar veprën penale “shpërdorim detyre”./abcnews.al


