Tensionimi i situatës në Siri, Putin: Besoj tek mirëkuptimi

schedule19:52 - 11 Prill, 2018

schedule 19:52 - 11 Prill, 2018

Tensionimi i situatës në Siri, ku dy fuqitë e mëdha rrezikojnë përballjen, ka bërë që krerët e ushtrisë ruse të vendosin kontakte me kolegët amerikanë, për të shmangur përplasjen. Ndërkohë, presidenti Putin ka deklaruar se shpreson në mirëkuptimin mes palëve.

Moska zyrtare ka nisur kontaktet direkte me Shtabin e Përgjithshëm të Shteteve të Bashkuara në lidhje me situatën në Siri. Lajmin e ka bërë të ditur Vladimir Shamanov, shef i dhomës së ulët të parlamentit rus për agjencinë e lajmeve “Interfax”.

Ndërkohë, vetë presidenti Putin, në një ceremoni të mbajtur në Kremlin me ambasadorët, ka shprehur shpresën e tij që mes palëve të dominojë mirëkuptimi.

“Situata në botë nuk mund të mos ngjallë shqetësim. Ajo po bëhet gjithnjë e më kaotike, por Rusia shpreson se mirëkuptimi do të fitojë”, ka thënë Putin.

Ushtria ruse nga ana tjetër ka pohuar të drejtën e saj për të rrëzuar raketat që do të qëllohen drejt Sirisë dhe për të neutralizuar burimin e tyre, duke iu referuar kështu luftanijeve dhe avionëve luftarakë amerikanë. Ambasadori rus në Liban, Alexander Zasypkin ka nënvizuar se trupat ruse do të përballen me çdo agresion të Shteteve të Bashkuara ndaj Sirisë.

Ndërkohë, numri dy i shtabit të përgjithshëm rus, gjenerali Viktor Poznikher ka bërë me dije se nga nesër, në lokalitetin sirian të Dumës do të dërgohet policia ushtarake ruse, për të garantuar rendin dhe sigurinë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!