Opozita e bashkuar do të marrë pjesë në seancën parlamentare të së enjtes. Lajmi u bë publik pas takimit mes dy krerëve të partive opozitare dhe një mbledhjeje të dytë të grupit parlamentar demokrat për këtë javë. Në mungesë të një deklarate nga kreu i opozitës Basha, qëndrimi u bë publik nga mediat.
Pas bojkotit parlamentar të së martës, në shenjë mbështetjeje ndaj tregtarëve që protestuan vendosjen e TVSH-së për bizneset e vogla, përmes mbylljes së qepenave për 1 orë në mesditë, opozita e bashkuar dhe grupi parlamentar demokrat mbajtën takimin e radhës për koordinimin e aksionit opozitar.
E shoqëruar nga zv/kryetari Petrit Vasili, Monika Kryemadhi iu drejtua zyrës së kreut demokrat Basha, ku për rreth një orë dakordësuan qëndrimin që të mërkurën i ndau sa i përket jetës parlamentare.
Ndërsa demokratët vijuan bojkotin e komisioneve parlamentare për të dytën ditë radhazi, deputetët e Lëvizjes Socialiste për Integrim shënuan pjesëmarrjen e tyre.
Në përfundim të mbledhjes së grupit parlamentar demokrat, e dyta për javën, në mungesë të një deklarate për mediat nga kryetari Basha, qëndrimi u shpërnda përmes mediave: Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim do të marrin pjesë në seancën parlamentare të së enjtes, duke ndërprerë bojkotin përkohësisht./abcnews.al