Protestat nuk duhet të ndalohen por dhuna po. Dhe këtu ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës e drejton gishtin nga të dyja palët.
Donald Lu: “Në Shqipëri, të gjithë qytetarët kanë të drejtën të protestojnë paqësisht, përfshi në Kukës. Dhe e kuptoj njerëzit në Kukës janë të inatosur. Nuk kanë të drejtë të shkojnë të djegin kabinat e toll-eve, nuk kanë të drejtë të gjuajnë me gurë policinë. Në të njëjtën kohë, policia nuk ka të drejtë të lëndojë protestuesit apo të kapin njerëzit për arrestime masive në mes të natës. I kam bërë thirrje Kryeministrit dhe kreut të opozitës që tani të tregojnë vetëpërmbajtje, që secili të ruajnë qetësinë dhe që kjo të zgjidhet me anë të dialogut”.
I ftuar në emisionin “Opinion” në televizionin Klan numri një i diplomacisë amerikane në Tiranë sqaroi edhe rrjetat që janë hedhur në detin e korrupsionit shqiptar. Ai renditi disa prej trafikantëve shqiptarë, të cilët duket se kanë ngecur në rrjetën e drejtësisë.
Donald Lu: “Met Kanani – Met Kanani është një trafikant droge i rrezikshëm, trafikant shqiptar, arrestuar në Bodrum, Turqi, dy javë më parë, me ndihmën e qeverisë shqiptare. Arbër Çekaj, përgjegjës për trafikimin e 613 kg kokainë… Kelmend Balili, po ashtu me mandat arresti ndërkombëtar. Ne, amerikanët, besojmë se është ende në Shqipëri dhe ka mundësi të arrestohet në ditët që vijnë. Po shtyjmë shumë fort për këtë. E dini, Z. Balili është dënuar tashmë në Greqi për trafik droge”.
Të njëjtin fat do të pësojnë edhe politikanët e korruptuar.
Donald Lu: “Shikoni çështjen kundër Adriatik Llallës. Ka shumë në media tani lidhur me këtë çështje. Po hetohet për korrupsion. Qeveria e SHBA po ndihmon në atë hetim. Shikoni Saimir Tahirin – ish-Ministri i Brendshëm shumë i fuqishëm. Po hetohet dhe besoj se jemi pranë ndjekjes penale në këtë çështje. Fran Frrokaj, Kryebashkiaku i Lezhës. dhe Elvis Roshi, ish-Kryebashkiak i Kavajës, kërkohet për ndjekje penale nga ky prokuror për falsifikim dokumentash dhe se ka gënjyer në formularin e dekriminalizimit për një dënim për përdhunim në grup në Itali”.
E duke u ndalur veçanërisht në rastin e ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla, ambasadori Donald Lu sqaroi se vendimi për të ndaluar hyrjen e tij në Shtetet e Bashkuara erdhi pas bindjes se ai është një njeri i korruptuar.
Donald Lu: “Sekretari i Shtetit vendosi që Z. Llalla do të ishte i pari person në botë…”
Blendi Fevziu: “I pari person në botë”?
Donald Lu: “…në botë, që sipas këtij ligji që i lejon Presidentit të Shteteve të Bashkuara t’i ndalojë hyrjen në Shtetet e Bashkuara një zyrtari të korruptuar nga një vend tjetër”.
Për herë të parë ambasadori Lu zbulon një sekret që ka të bëjë me ndërhyrjen e Shteteve të Bashkuara në listat e kandidatëve për deputetë të partive të ndryshme politike.
Donald Lu: “Dua t’ju tregoj një sekret. Ka pasur politikanë dhe parti që në fakt kanë hequr njerëz nga listat e tyre pa shumë zhurmë. Ju nuk shihni gjithçka që ndoh, por në fakt ka pasur përparim edhe përpara zgjedhjeve. Njerëzit duhet ta dinë që ka paasur një përparim të madh në heqjen e këtyre njerëzve, por edhe në parandalimin e përfshirjes së tyre në lista”./abcnews.al