“Dikur ëndërronin Vllazninë, sot e ndërrojnë për 100 mijë lekë! Bashkia ka dështuar”

schedule12:57 - 21 Qershor, 2020

schedule 12:57 - 21 Qershor, 2020

Vllaznia vuan prej vitesh dhe e vetmja zgjidhje është privatizimi i klubit shkodran. Hysen Zmijani është një emër i madh i futbollit të qytetit më të madh verior. Ish-lojtari i kombëtares shqiptare, nuk kursehet sa herë flet për skuadrën e zemrës.

Në një prononcim për Panorama Sport, 57-vjeçari prek disa tema, lëshon akuza të forta dhe tregon mënyrën e vetme se si mund të përmirësohet situata te kuqeblutë.

SITUATA – “Në këto momente është shumë e vështirë që të flasësh për Vllazninë. Nuk mund të gjesh asnjë fjalë optimiste. Edhe në takimin e fundit pamë një Vllazni për të cilën nuk di çfarë të thuash. Normalisht që ka ndikuar për keq largimi i trajnerit”.

JONUZ – “Për mua, Jonuz ka qenë një trajner mjaft profesionist dhe dha vlerat e tij me Vllazninë, por momenti sesi u largua lë shumë për të dëshiruar. Ai mund të kishte bërë një ikje tjetër dhe do të kishte atë vlerësim që të gjithë kanë pasur për të. Nuk ishte momenti që të largohej ashtu. Por unë nuk ia vë krejt fajin atij. Edhe drejtuesit duhet të shikojnë veten në pasqyrë dhe të shikojnë ku kanë gabimet e tyre. Gjithsesi, e thënë copë, mënyra e largimit pa u dhënë dorën drejtuesve e lojtarëve nuk ishte e duhura”.

 

Vlllaznia duke festuar një gol

DEDJA –  “Jam i bindur se ka ardhur në Shkodër me të vetmin mendim që të bëjë sa të mundet për këtë emër. Ai e thekson diçka të tillë shumë herë, por mesa duket e ka të vështirë në këtë situatë. Ai ka bërë atë që një ish-futbollist dhe ish-trajner i kësaj skuadre, dhe për më tepër një shkodran, do të bënte për të kontribuar për Vllazninë. Me një ekip në këtë gjendje, ai e ka tejet të vështirë për të treguar vlerat e tij”.

LOJTARËT – “Më shumë po shikojnë për të marrë paratë e tyre, sesa për të dhënë shpirtin për këtë skuadër. Mungon dëshira për këtë fanellë, për të kontribuar për të. Jam plotësisht dakord që nuk luhet pa lekë dhe pa një korrektesë në këtë drejtim, por nga sa kam informacion pagat e tyre do të paguhen rregullisht. Mosmarrja në kohë ka ndikimin e vet, por jo deri këtu”.

BASHKIA – “Normale që aty fillojnë problemet. Për më shumë se tetë sezone kemi një ekip që shkon çdo sezon deri në frymën e fundit për të mbijetuar. Përherë shpenzohet dhe frytet janë njëlloj. Nuk e di çfarë pret më kjo bashki. I afrohet një njeri apo një firmë serioze dhe nuk arrin që ta bëjë të mundur kalimin e skuadrës te privati. Vetëm privatizimi është shpëtimi i Vllaznisë. Më vjen keq se e kanë çuar emrin e këtij klubi dhe fanellën e saj në fund të koshit”.

VLLAZNIA – “Dikur ishte ëndërr për gjithkënd që luante futboll, shkodran apo jo shkodran, që të vishte të paktën njëherë fanellën e Vllaznisë. Tani lojtarë apo edhe trajnerë për 100 mijë lek të vjetra më shumë janë të gatshëm që të ikin prej Vllaznisë. Këtu them për shkodranë e jo shkodranë. Të vjen keq sinqerisht që s’di çfarë të thuash për këtë emër. E ritheksoj, kur ta marrë një person që i “djeg xhepi”, vetëm atëherë do të shikojmë Vllazninë që duam”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!