Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj i është përgjigjur të hënën presidentit turk, Erdogan, duke i kërkuar që të mos përzihet në punët e brendshme të Kosovës.
“Kosova dhe unë s’kemi ndërhyrë në punët e brendshme të Turqisë, as në të kaluarën, as sot dhe nuk do të ndërhyjmë as në të ardhmen. Po ashtu, punët tona të brendshme nuk mund t’i bëjë askush në emrin tonë, por vetëm ne. Këtë duhet ta dinë të gjithë”, ka thënë Haradinaj.
Ai ka theksuar se në Kosovë respektohen të gjitha komunitetet, pavarësisht identitetit të tyre.
“Për ata që na gjykojnë nga larg mund të them se nuk na njohin. U mungojnë njohuritë për shqiptarët, për trojet e tyre dhe atdheun e tyre. Ndaj bëjnë mirë të na njohin dhe ta dinë se nuk është në traditën tonë të ndërhyjmë në punët e shtëpisë së dikujt tjetër”, ka thënë Haradinaj.
Ditën e shtunë, Presidenti Recep Tayip Erdogan paralajmëroi Haradinajn se do të jepte llogari për shkarkimin e ministrit të Brendshëm dhe shefit të agjencisë së inteligjencës, që bashkëpunuan për arrestimin dhe dëbimin e 6 shtetasve turq nga Kosova./abcnews.al