Për herë të parë që nga shpërthimi i pandemisë së koronavirusit në vend, fundjava do të jetë e lirë.
Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu në një konferencë për shtyp ditën e djeshme bëri të ditur se fundjava do të jetë e lirë, pa kufizime të orarit të bizneseve dhe qytetarëve.
Po ashtu kjo është fundjava e fundit me perimetër mes zonave të kuqe dhe të gjelbra, ku lëvizja do të jetë e kufizuar deri më 1 qershor.
Ndërkaq, në 1 qershor është parashikuar që të bëhet hapja totale e vendit. Që konsiston me hapjen e kufijve tokësorë me vendet fqinje, çerdhet e kopshtet, kampionatet sportive pa praninë e publikut, parqet, qendrat e formimit arsimor, kulturor, qendrat e internetit dhe palestrat sipas protokolleve të sigurisë. Prej 1 qershorit edhe plazhet do të hapen, por vetëm për hotelierët, ndërsa për të gjithë qytetarët nga data 6.
Të mbyllur do të vijojnë të jetë edhe për pak deri në daljen e një plani, transporti publik,siç ka njoftuar ministrja e Shëndetësisë. Po ashtu të ndaluara do të jenë, dasmat, ceremonitë mortore dhe kinematë. /abcnews.al