Besimi i publikut ndaj ekonomisë po shfaq luhatje, teksa zhvillimet ndërkombëtare dhe rritja e çmimeve ndikojnë ndjeshëm në perceptimin e qytetarëve. Ndërsa bizneset paraqiten më optimiste për ecurinë e sektorëve kryesorë, qytetarët vijojnë të mbeten të pasigurt për të ardhmen financiare dhe fuqinë blerëse.
I ftuar në “Money Report” në ABC News, eksperti për sipërmarrjen Rezart Lahi theksoi se situatat e lidhura me konfliktet ndikojnë jo vetëm në aspektin praktik të ekonomisë, por edhe në psikologjinë e konsumatorëve.
Sipas tij, pasiguria për rritjen e mëtejshme të çmimeve po i shtyn qytetarët të kursejnë dhe të mbajnë rezerva financiare për raste emergjente, ndërsa paralelisht bizneset shfaqin pritshmëri më pozitive, veçanërisht në sektorë si ndërtimi dhe turizmi, që pritet të vijojnë trendin e rritjes.
“Lufta ka një ndikim jo vetëm praktik, por edhe psikologjik të qytetarëve. Qytetarët vazhdojnë që të kenë një pasiguri, për ecurinë e çmimeve. Qytetarët në situata pasigurie lufte, dhe kur potenciali i çmimeve do jetë më i larta, mbajnë disa para mënjanë në rast emergjence. Ne do të kemi kursim nga qytetarët.
Megjithatë shikohet një optimizëm më i lartë tek bizneset. Jo çdo muaj do jetë perceptimi i njëjtë tek industria e ndërtimit. Industria e ndërtimit në total pritet që të ketë rritje, jo të njëtrajtshme, por do të vazhdojë që të ketë një rritje. Edhe turizmi do të vazhdojë të ketë rritje, Shqipëria është një vend i sigurt sa i takon luftës. Duke qenë një vend larg rrezes së luftërave, mund të përfitojmë për rritjen e turizmit. Mund të ketë një rritje të turistëve. Patjetër që mund të ketë një rritje të çmimeve dhe të kërkesave.
Cash është e kaluara komode, kurse POS është e ardhmja e domosdoshme. Kalimi i parasë përmes bankës, ul informalitetin. Vështirë që të përfundojë brenda afatit, mendoj që do të ketë afate të tjera. Megjithatë nuk do të ketë penalitete. Pajisja nuk ka kosto për biznesin, por ka taksë. Një klient statikisht ble më shumë, kur paguan me kartë, se sa kur paguan cash”, u shpreh eksperti.


