Në prani të shefes së Politikës së Jashtme të BE Federica Mogherini, presidentët e Serbisë dhe Kosovës po zhvillojnë në Bruksel raundin e radhës të dialogut. Mësohet se fillimisht Aleksandar Vuçiç dhe Hashim Thaçi kanë zhvilluar takime të ndara me zonjën Mogherini, që është pasuar nga një darkë e përbashkët pune. Zëdhënësja e Mogherinit, Maja Koçijançiç ka bërë me dije se darka do të shërbejë që dy krerët e shtetit të bisedojnë mbi hapat e radhës të Prishtinës dhe Beogradit për zbatimin e marrëveshjeve të arritura. Sa i përket rezultateve, zëdhënësja ka saktësuar se ato do të merren vesh pas tryezës dhe ka nënvizuar se do t’i shërbejnë normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Koçijançiç ka shtuar se ky proces është shumë i rëndësishëm për të ardhmen europiane të dy vendeve./abcnews.al