KPK shkarkon anëtarin e Gjykatës Kushtetuese, Fatos Lulo

schedule12:00 - 23 Mars, 2018

schedule 12:00 - 23 Mars, 2018

Komisioni i pavarur i kualifikimit vendosi të shkarkojë nga detyra anëtarin e Gjykatës Kushtetuese, Fatos Lulo. Pas procesit të rivlerësimit kalimtar dhe një seance dëgjimore me avokatin e gjyqtarit, ky komision pretendoi pasuri të pajustifikuar nga ana e gjyqtarit. Avokati i Lulos e konsideroi të pabazuar vendimin dhe tha se do ta ankimojë.

Ky ishte vendimi final i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit në lidhje me anëtarin e Gjykatës Kushtetuese, Fatos Lulo. Treshja gjykuese vlerësoi si të drejtë pretendimin e ngritur nga ILDKPI se gjyqtari Lulo ka mungesë të burimeve financiare të ligjshme dhe deklarim të rremë të pasurisë.

Në sallën, ku nuk ishte i pranishëm gjyqtari Lulo, kryesuesja Genta Tafa Bungo lexoi vetë dispozitivin e vendit dhe sqaroi arsyetimi i tij do të bëhet publik brenda 30 ditëve.

Përfaqësuesi ligjor i Lulos, avokati Ardian Visha, e cilësoi verdiktin e KPK-së të pabazuar dhe tha se do ta kundështojë në Kolegjin e Apelimit.

 Dy ditë më parë, Lulo u thirr në një seancë dëgjimore nga Komisioni, ku zgjodhi të mos paraqitej personalisht. Përmes avokatit, ai rrëzoi pretendimet e ILDKPI-së. Sipas tij, pasuria që kishte ishte siguruara gjatë punës së tij si avokatë në periudhën 1994-1999 dhe 2004-2005, ndërsa një zyrë dhe një shumë prej 100 mijë dollarë i ishin dhuruar nga e motra.

Në zbatim të ligjit, vendimi i KPK-së pezullon nga detyra gjyqtarin Lulo. Kjo vendimarrje bllokon vepritarinë e Gjykatës Kushtetuese. Pas largimit të tij kjo gjykatë mbetet me 5 anëtarë. Për shkak se kuorumi i nevojshëm është me 6 anëtarë, gjykata nuk mund të marrë asnjë vendim./abcnews.al