Rruga e Obotit në Anën e Malit në Shkodër është mbuluar me ujë dhe në disa fshatra prezenca e ujit po shtohet. Hidrocentrali i Vaut të Dejes vijon shkarkimet e ujit për shkak të prurjeve të larta. Banorët e kësaj zone mund të lëvizin vetëm me mjete të larta. Forcat e Armatosura janë angazhuar për përballimin e situatës së krijuar në fshatin Obot.
Mjetet e kalueshmërisë së lartë, ato ujore dhe efektivët e batalionit të parë të këmbësorisë së Vaut të Dejës po ndihmojnë lëvizjen e banorëve të Obotit drejt qytetit, pasi rruga e fshatit është e bllokuar në një gjatësi prej rreth 2 km.
Kurse për transportin e nxënësve të shkollës, Bashkia ka vendosur në dispozicion mjete të posaçme, gjithashtu të larta. Edhe në pjesën tjetër të Ultësirës së Shkodrës, kryesisht në tokat bujqësore, ka prezencë të ujit. Niveli i ujit në lumenjtë Kir, Drin dhe Bunë vazhdon të jetë i lartë.
/abcnews.al