Borë dhe shi, situatë problematike në veri

schedule11:27 - 4 Mars, 2018

schedule 11:27 - 4 Mars, 2018

Reshjet e shtuara të shiut kanë sjellë përmbytje në veri të vendit. Bashkia e Shkodrës po monitoron situatën edhe në qytet, ndërsa zonat malore mbeten të bllokuara nga bora, pa energji elektrike e në vështirësi për furnizim me ushqime.

Moti me borë e reshje shiu, sjell problematika të ndryshme në gjithë vendin. Në Bashkinë e Shkodrës, vazhdojnë reshjet e shiut dhe pushteti vendor, po monitoron situatën e prurjeve të lumit Drin, Kir e Bunë, pasi niveli i tyre është rritur ndjeshëm.

Reshjet e shtuara të shiut kanë sjellë daljen e përroit që buron nga Mali i Zi në afërsi të doganës së Muriqanit, ndërsa 300 hektarë tokë janë përmbytur në njësinë administrative Ana e Malit. Në rrezik është ujësjellësi në Oblikë.

Ndërsa ndryshimi i temperaturave në mënyrë të menjëhershme ka shkaktuar problemet edhe në bregdet. Kështu, për shkak te erërave të jugut, deti Adriatik në Velipojë, ka hyrë në brendësi të zonës së plazhit, duke pushtuar gjithë pjesën e shëtitores.
Niveli i ujit është deri në 60 centimetra, në gjithë gjatësinë prej 14 kilometrash të zonës ranore.

Problematike mbetet situata në njësitë administrative malore, ku prezenca e madhe e dëbores deri në 1 metër ka sjellë vështirësi në qarkullim. Kështu të bllokuara janë akset Bogë-Theth, Mali i Shoshit-Bregu i Lumit, Muri i Turkut-Shllak, Fushë Arrëz-Iballë.
Mungesa në energji elektrike ka në të gjithë njësinë administrative Dajç, e në zona të Shoshit, Shalës, Pultit, Temalit e Iballës.
Banorët e këtyrë zonave përballen me vështirësi në furnizimin me ushqime, ndërsa në zonat malore janë prishur edhe disa mullinj bloje./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!